Ancheloti: Te Reali ndodhem për spektakël dhe trofe
Karlo Ançeloti ka treguar menjëherë se ka marrë drejtimin e Real Madrid me shumë ambicie, duke synuar që të kthejë këtë klub në lavdinë që meriton, pas një sezoni shumë të turbullt. Trajneri italian, i prezantuar dje para mediave, ka bërë të qartë se synon të kthejë spektaklin në lojën e madrilenëve, të akuzuar shpesh se bazonin gjithçka te kundërsulmi dhe magjitë e Ronaldos."Dua të fitoj, por dua ta bëj këtë gjë duke luajtur një futboll spektakolar. Këtë ta imponon tradita e këtij klubi. Real Madrid është klubi më prestigjioz në botë dhe një vlerësim i tillë të imponon të luash mirë dhe të arrish rezultate. Ju garantoj se do të jetë një sezon i madh", ishin fjalët e trajnerit italian që ka folur pjesërisht spanjisht, pjesërisht italisht e pjesërisht frëngjisht në këtë konferencë të parë për shtyp.Kuptohet që objektivi kryesor i klubit është fitorja e Ligës së Kampioneve, gjë të cilën ai shpreson ta arrijë gjatë eksperiencës së tij në Madrid."Ka shumë motivim, pasi dihet që ky është një objektiv që ndiqet prej kohësh. Unë jam i nderuar që më është dhënë një detyrë e tillë, ndjej një përgjegjësi shumë të madhe. A ka trysni këtu? Po, por kështu është në çdo klub të madh. Për të luajtur futbollin ofensiv duhet shumë cilësi, që kjo skuadër i ka. Mendoj se nuk do të jetë e vështirë të organizoj një lojë ofensive me shumë mbajtje topi", tha Ançeloti.Ndërkaq, trajneri italian konfirmoi se përkrah tij do të kishte Zidan, ndërsa lëshoi një batutë edhe rreth temës së aktivizimit të Iker Kazijas."Zidan do të ulet në pankinë me mua dhe i vetmi problem që kam është se nuk mund të luajë. Kazijas është një lojtar i madh, që ka fituar gjithçka në karrierë. Por rregullat e futbollit janë të njëjta për të gjithë: luan kush e meriton. Kaka? Ai është një lojtar i denjë për Realin dhe do të japë gjithçka për të fituar këtu".