Dy shpërthime me tritol në Dukagjin, dëmtohet ura dhe kanali i Ndërlisës në Theth

Shpërthime me tritol në komunën Shalë të fshatit Rranxë në Dukagjin. Policia e Shkodrës bën me dije se dy shpërthime me tritol janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës, brenda një harku kohor prej 10 minutash.Shpërthimi i parë ka ndodhur në komunën Shalë, në kanalin që furnizon HEC-in e Ndërlisës, ndërsa pak minuta më vonë një sasi eksplozivi ka dëmtuar urën që lidh aksin Theth-Qafë Tërthorë.Shpërthimet kanë ndodhur në një kohë që po shpërndahen materialet zgjedhore, për zgjedhjet e së dielës, ndërsa mësohet se kalimi për në komunën e Shalës po bëhet përmes rrugës dytësore. Nga ana tjetër po punohet për të riparuar dëmtimet në aksin Theth -Qafë Tërthorë, si dhe për normalizimin e situatës në HEC-in e Ndërlisës.

"Sot me datë  22.06.2013, rreth orës 07.00, është marrë informacion se gjatë natës, ka pasur dy shpërthime, ku persona ende të paidentifikuar  kanë vendosur lëndë  plasëse në një urë që shërben si kanal për dërgimin e ujit në Hidrocentralin në fshatin Nderlysaj, Komuna Shalë, si dhe është vendosur eksploziv në segmentin rrugor Theth-Shkodër, pikërisht në një urë  në hyrje të fshatit Theth.

Menjëherë nga ana jonë janë marrë masat e duhura për dy rastet e lartpërmendura dhe nw vendngjarje janë dërguar shërbimet policore dhe grupin hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e duhura hetimore  e proceduriale. Paraprakisht mësohet se si pasojë e shpërthimit në Hidrocentralin e  fshatit Nderlysaj,  është dëmtuar rreth 1 meter ura mbajtëse e kanalit të ujit dhe aktualisht është jashtë funksioni ky Hidrocentral duke lënë pa energji Komunën Shalë, Shosh dhe Pult. Ndërsa nga shpërthimi në urën e fshatit Theth, është dëmtuar një pjesë e kësaj ure, duke penguar përkohësisht qarkullimin. Dëmtime në njerëz nuk ka" thuhet ne njoftimin e policise Shkoder.

Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të shpërthimit të lëndës së eksplozivit. Materialet proceduriale në lidhje me dy rastet në fjalë, do i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.