Sot heshtje zgjedhore, nesër votohet për qeverinë e re
Shqipëria ka hyrë sot në heshtje zgjedhore. Nga mesnata e së premtes deri në 7:00 të së dielës, kohë kur do të hapen të gjitha qëndrat e votimit në vend për tu mbyllur në 19:00, qytetarët shqiptarë do të mund të reflektojnë përballë alternativave të subjekteve politike të shpalosura për 30 ditë me radhë.Fushata elektorale u mbyll pothuajse në të njëjtin orar prej dy partive politike më të mëdha në vend, ku socialistët zhvilluan mitingjet përmbyllëse në 2 qendra të rëndësishme të vendit, në Shkodër dhe Vlorë, ndërsa të djathtët kanë mbyllur zyrtarisht fushatën në sheshin Nënë Tereza në Tiranë.Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.Janë 3 271 956 zgjedhës të cilët kanë të drejtë të votojnë, ndërsa për të votuar duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikimi.Subjektet politike janë të ndarë në dy koalicione të mëdha, ‘Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim’ i udhëhequr nga PD me 24 parti politike dhe ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ e udhëhequr nga Partia Socialiste tubon me 40 parti politike. Kësaj gare i bashkëngjiten edhe dy partitë FRD dhe Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu si të pavarur do të konkurrojnë edhe Arben Malaj, Nikollë Lesi, Dritan Prifti dhe emra tjerë në disa qarqe.Fushata u vlerësua nga shumë vëzhgues si përgjithësisht e qetë, demokratike dhepa incidente të rënda dhune si zgjedhjet e tjera, megjithatë u raportua për përfshirjen e fëmijëve dhe administratës publike nëpër tubime politike. Fushata zgjedhore që sapo u mbyll u vlerësua edhe si një fushatë e kushtueshme dhe e ngjashme me fushatat e vendeve perëndimore, gjë për të cilët kanë ndikuar kompanitë amerikane e britanike të imazhit.Zgjedhjet po vëzhgohen nga Këshilli i Europës dhe nga OSBE. Drejtuesit e këtyre misioneve parlamentare ftuan udhëheqësit politikë shqiptarë “të angazhohen në një proces konstruktiv për të siguruar zhvillimin e papenguar të zgjedhjeve”. Koordinatori special i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, Roberto Battelli, pritet të paraqesë raportin e parë të vlerësimit të hënën pasdite.Ata i bënë thirrje edhe KQZ që të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë për një proces të qetë zgjedhor. Në deklaratën e përbashkët të vëzhguesve ndërkombëtarë thuhet se “institucionet administrative zgjedhore duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, dhe të garantojnë që vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga autoritetet dhe nga partitë politike në garë.Këto zgjedhje janë vlerësuar si një provë nëse Shqipëria po ndahet nga periudha e zgjedhjeve problemtatike dhe po afrohet antarësimit të mundshëm në BE. Shqipëria u antarësua në NATO në vitin 2009, ndërsa BE tha që para se të bëhej kandidate, Tirana duhej të bëjë reforma të brendshme demokratike dhe të përmirësojë proceset zgjedhore. Përfaqësues të lartë të BE, Catherine Ashton dhe Stefan Fyle, deklaruan se këto zgjedhje parlamentare janë një provë e rëndësishme për institucionet demokratike dhe përparimin drejt BE-së.