LSI: Ndëshkim penal për blerësit e votave. Zgjedhësit të verifikojnë emrat në lista
Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar sot blerjen e votës në zona të ndryshme të vendit ndërsa ka paralajmëruar ndëshkim penal të blerësve.Nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani në një konferencë për shtyp u ka bërë apel qytetarëve të informohen për numrin e qendrës ku do të votojnë si dhe të verifikojnë emrin në lista. Ai ka akuzuar KQZ-në dhe pushtetin vendor se ka dështuar në informimin e zgjedhësve për qendrat e votimit.“Janë shfaqur shenjat e para të personave me pushtet që kanë administruar fonde publike në tentativa për të blerë vota, që sipas ligjit penal i hartuar me konsensus janë vepra të ndëshkueshme. Kushdo që tenton të joshë zgjedhësit në këtë mënyrë është i ndëshkueshëm penalisht dhe kjo do ndodhë, jo për hakmarrje, por drejtësi” tha Manjani.Manjani gjithashtu kërkoi nga anëtarët e qendrave të votimit të bëjnë kujdes me verifikimin e dokumenteve të identifikimit të votuesve.