PD në Vlorë, Berisha: Ja kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë
Partia Demokratike në turin e saj të fushatës elektaorale, është ndalur mbrëmjen e sotme në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës.PD-ja pasi kaloi me sukses testin ndoshta më të vështirë të fushatave elektorale, me një miting madhështor në hapjen e fushatës në këtë qytet, pasditen e sotme në një miting përmbyllës, ka mbledhur me mijëra qyetarë të këtij qarku, të cilët kanë mbushur sheshin “Pavarësia” duke i dhënë atij ngjyrën blu dhe duke e bërë njësh me detin.Lidershipi i mazhorancës, Sali Berisha, i gjendur në qyetin e pavarësisë vetëm disa orë pasi kundërshtari i tij politik dhe njëkohësisht kandidat për deputet në këtë qytet, Edi Rama, zhvilloi një “kënd fjale” me ish-ushtarakët në Vlorë, është gjendur disi komod, duke e përqëndruar të gjithë fjalimin e tij në kundërpërgjigje në distancë ndaj akuzave që Rama lëshoi në drejtim të tij, se Vlora është e harruar nga Partia Demokratike.
Berisha: Do të bëjmë gjithëçka për Vlorën dhe Shqipërinë europiane“Miqtë e mi, pak vite më parë, ne nisëm këtë rrugë sëbashku dhe nuk ishte kohë e lehtë. Për të regjistruar një biznes duheshin 42 ditë, për të shkuar në Tiranë duheshin 3-4 orë, një pjesë e mirë e kohës ishte pa energji elektrike, mungonte uji, shkollat tona po rrënoheshin, mësuesit largoheshin nga profesioni i tyre, NATO dhe BE ishin larg dhe larg nesh. Por, në këto vite, sëbashku, me një besim të madh tek njëri-tjetri, tek energjia, tek forca dhe vullneti ynë, ia kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë, kemi arritur të ecim më shpejt se kurrë në historinë tonë. Sot, regjistrojmë bizneset për një orë, rrogat e pensionet janë mbi dy herë më të larta sesa ishin, sot në Tiranë shkohet për më pak se gjysmën e kohës. Sot, turizmi në Vlorë është mbi dhjetëfishuar, në të katër anët e Vlorës, shkollat janë ndërtuar e rindërtuar, universiteti i Vlorës ka rritur shumë numrin e studentëve, infrastruktura në Vlorë, nga Ura e Mifolit në Konispol është krejtësisht tjetër, nga Novosela në Sevaster po ndërtohet infrastruktura moderne. Gratë e burrat e Vlorës po bëjnë gjithçka për një jetë më të mirë për vete e fëmijët e tyre. Djemtë e vajzat në Vlorë po bëjnë gjithçka për një shkollim më të mirë, për një punë më të mirë. Në Vlorë vlon djersa, vlon puna, vlon entuziazmi dhe besimi tek e ardhmja. Ne njerëzit që dje vërsuleshim në det për kafshatën e gojës, sot lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Europën.Ne po bëjmë gjithçka që pasuritë tona t’i shndërrojmë në vlera për qytetarët e Vlorës, qytetarët shqiptarë.Në këto vite, ne kemi investuar në Vlorë më shumë se në çdo qark tjetër, sepse Vlora ka potencialet më të jashtëzakonshme jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë. Por shumë e shumë herë më shumë keni investuar ju, gratë e burrat fisnikë të Vlorës, djersë, mund, sakrifica, kursime, për jetën tuaj. Këto vite, Vlorën, Shqipërinë që po rrokullisej e skajohej e kemi shndërruar sëbashku në histori shprese, në histori zhvillimi, në histori suksesi”, u shpreh Berisha. Berisha e ka quajtur ditën e sotme si një ditë të bekuar, pasi sot u realizua bashkimi i tunelit të Tiranës me Elbasanin.
Berisha: Ne po ecim përpara, po ecim drejt zhvillimit“Miqtë e mi, sot është ditë e bekuar për çdo shqiptar. Sot bashkuam Tiranën me Elbasanin, me tunelin e Kërrabës. Unë kam shkuar qindra herë në Gjirokastër, por sot, miqtë e mi, për herë të parë në jetën time, mbërrita nga Levani për 1 orë e 4 minuta. Po ashtu, sot inauguruam fillimin e By-pass-it të Fierit. Pra, ne po bëjmë gjithçka për të ecur përpara. Ne po ecim përpara, po ecim drejt zhvillimit. Ne jemi në rrugën e zhvillimit dhe çdo vit arrijmë tregues themelor të vendeve të zhvilluara. Energjia, entuziazmi, besimi ynë tek e ardhmja do të na çojë ne siguri, gjatë katër viteve që vijnë, në horizontin që meritojmë. Në katër vite, ne do të bëjmë gjithçka për të dyfishuar turizmin, për të rritur punësimin, do të bëjmë çdo gjë, me uljen e taksave, për rritjen më të madhe të bizneseve në Vlorë e mbarë Shqipërinë”, tha kryeministri.Shefi i selisë blu u ka premtuar vlonjatëve se projekti i parë që do startojë për këtë qytet do jetë bay-passi, për të cilin, janë gati fondet dhe projekti.
Berisha: Ansambli Nartë-Karaburun-Sazan do të bëhet një nga zonat e turizmit më të famshme në Europë e në botë.“Këto ditë vendoset për projektin më të madh të Europës, i cili kalon nëpër Shqipëri, gazsjellësin TransAdriatik. Ne do të bëjmë gjithçka që katër vitet e ardhshme, Vlora dhe Shqipëria të marrin 6 miliardë dollarë investime, do të trefishojmë grantet për fermerët e Vlorës e Shqipërisë, do të kompletojmë infrastrukturën më moderne në çdo fshat, në lumin e Vlorës, në çdo skaj, nga Mifoli në Sarandë, do të ndërtojmë By-pass-in e Vlorës. Ne do të bëjmë gjithçka që mrekullia natyrore e Shqipërisë dhe e Mesdheut, ansambli Nartë-Karaburun-Sazan të bëhet një nga zonat e turizmit më të famshme në Europë e në botë”, u shpreh shefi i qeverisë.“Kjo është alternativa jonë. Ne do të marrim gjatë këtij viti, statusin e vendit kandidat, do të hapim negociatat për vend anëtar në Bashkimin Europian, do të bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, miqtë e mi, ne kemi besimin tek vetja jonë, besimin tek Vlora, tek Shqipëria, tek Zoti. Ne kemi vizionin për të ardhmen e Vlorës, për të ardhmen tonë, për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj të bashkohemi, më 23 qershor të votojmë Vlorën, të votojmë fitoren. Kjo është alternativa, ky është vizioni, ky është modeli ynë, që ju e keni provuar gjatë këtyre viteve.Cili është modeli tjetër, cila është alternativa tjetër?Së pari, mungesa e plotë e respektit për ju, e respektit për qytetarët. Më lejoni t’i them në emër tuaj Edi Ramës: zoti Rama, vlonjatët, shqiptarët mund të jenë të mëkëmbur, mund të jenë të varfër, mund të jenë me punë, mund të jenë pa punë, mund të jenë të shëndoshë, mund të jenë të sëmurë, mund të jenë të rinj, mund të jenë të moshuar, por një gjë duhet ta dish, as armiqtë e tyre më të egër, as studiuesit më të mëdhenj të botës nuk kanë arritur ti cilësojnë ndryshe veçse inteligjentë , veçse njerëz inteligjentë, ndaj dhe të them respekto Vlorën, mos iu trego vlonjatëve autostradën Veri-Jug që ka arritur në Vlorë, autostradën e detit që kalon nëpër det se po u tregon njëlloj si Majko tunelin nën Otranto. Respektoi vlonjatët dhe mos ju trego broçkulla se po vjen këtu dhe ju tregon historinë gjyshit agjent tregtar, sigurisht kur nuk ke ide për të ardhmen, do të merresh me ide të gjyshit, me ide të shkuara, sepse Vlora sot qarkullon mallra në një jave, saç qarkullonte e tërë Shqipëria në kohën e gjyshit tënd. Ty të ka mbetur ora atje.
Respekto vlonjatët, mos u trego ti fotot e gjirit të Vlorës të bllokuar nga fuqitë armike që vlonjatët i hodhën në det. Respekto vlonjatët dhe shqiptarët sepse respekti është detyrimi i parë, qytetar i çdo politikani. Ka dy muaj dhe çfarë ka premtuar? Premtoi taksën progresive, erdhi eksperti bullgar dhe i tha kjo është katastrofë. Tani herë e përmend, herë nuk e përmend. 10 ditë më parë në Durrës ju tha banorëve të zonave që kanë ndërtua shtëpi dhe i kanë në legalizim do shkoni nga keni ardhur se toka nuk është e juaja, ndërsa sot ju thotë se do jua legalizoj pa lekë, paçka se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese , ka një vendi të gjykatës së Strasburgut, pra mashtron , mashtron dhe vetëm mashtron.Zoti Rama, respekto qytetarët sepse ai është detyrimi ynë i parë. Të dashur miq, dy , tre gjëra do tua them para jush, përsa i përket modelit, me këta burra dhe gra, me të gjithë shqiptarët na lidh një përpjekje e madhe për tu bërë anëtarë të NATO-s, për të hequr vizat, për të marrë statusin, për tu anëtarësuar në BE. Së bashku kemi arritur shumë kurse ti zotëri je modeli i bllokimit, modeli i shkelmimit. Ti një gjë pate në dorë, të votoje tre ligje dhe i privove shqiptarët nga statusi për një vit rresht, për inate, për smirën për shpirtin e zi. I nderuar zotëri, me këta burra dhe gra mua më bashkon besimi i madh tek vlerat e familjes, tek fëmija, përpjekja jonë e përbashkët, sakrifica jonë që fëmijët tanë dhe brezat që vijnë, të kenë një jetë më të mirë dhe do ta kenë, ndaj po ndërtojmë rrugë, tunele, po bëjmë gjithçka që ata te kenë një Shqipëri tjetër, kurse ti zotëri me gjithë fuqinë tënde votove kundër çdo gjëje vetëm e vetëm për të shkelmuar interesat e shqiptarëve”, u shpreh kreu i selisë blu.Ndërsa ka sulmuar alternativën e majtë, Kryeministri u tha qyetarëve të Vlorës se për ta kuptuar atë duhet lexuar modeli i Koço Kokëdhimes, simboli i spekulimeve.
Berisha: Koço Kokëdhima rreziku më i madh përsa i përket pangopshmërisë. “I nderuar zotëri, nuk shkoj në rast personal, por një gjë do ta them këtu në Vlorën e historisë, në Vlorën e fitores. Kam 20 vjet në politikë, kam qenë President i Republikës, kam 8 vjet që jam kryeministër, por jetoj në një apartament 125 metra katrorë se rroga ime aq e përballonte, ndërsa ti vjen drejt karriges që nuk do e marrësh ndonjëherë me një vilë të gjatë 57 metra, me një pallat 5 katësh pa deklaruar një qindarke se me se po i ndërton. Së fundi i nderuar zotëri, familja është familje, është familje në Shqipëri, është familje në çdo komb, ajo është themeli i jetës, është vlera më supreme dhe me këtë vlerë unë bashkohem me të gjithë shqiptarët demokratë, socialistë , të pa parti, çfarëdo që janë. Zotëri këtë vlerë e shkelmojnë vetëm ata që ndahen dhe martohen para çdo fushate elektorale për të marrë vota dhe ti je një i tillë je. Dhe se fundi, ke prurë këtu në Vlorë, njeriun që mezi shkel në fshatin e tij në Qeparo dhe e dini ju pse? Sepse mori paratë e rrugës së fshatit dhe nuk ndërtoi rrugë por i bëri rrushe e kumbullulla. Ke prurë këtu në Vlorë Koco Kokëdhimën që ndërtoi dy pallate dhe gjymtoi Himarën. Kem prurë këtu në Vlorë rrezikun më të madh të Vlorës dhe të Shqipërisë për sa i përket pangopshmërisë, njeriu që nuk pagoi taksat, që mori të gjithë tenderat, që kudo që nisi punën i doli ujë i zi, në rrugën e lumit të Vlorës që së shpejti do të rindërtojmë, në rrugën e Skraparit, në rrugën e Qeparoit , në rrugët e Tiranës, ndaj dhe Kocoja të solli ty këtu, por Kocos i them, Edi Ramës i them, gaboni rëndë, nuk gëlltisni dot kurrë Vlorën dhe vlonjatët. Më 23 qershor ata do ju japin ju verdiktin, fitore e PD, fitore e Vlorës evropiane, fitore e integrimit, mirëqenies, votoni 44, ditën e bekuar të historisë sonë kombëtare, ditën e lavdisë sonë, ditën e të ardhmes sonë”, përfundoi kryeministri Berisha.