PS në Elbasan, Rama: Rrugët dhe tynelet nuk e fshehin dot varfërinë
Partia Socialiste ka mbyllur turin elektoral të ditës së Shtunë me një miting në qytetin e Elbasanit.
Në fjalën e tij, Edi Rama duke vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve të Elbasanit në këtë shesh, ka shprehur mirënjohjen e tij të madhe.
“Ne që jemi në këtë tribun të jemi në lartësinë e kësaj mbështetjeje të jashtëzakonshme, që është një mbështetje për ëndrrën e rilindjes që po vjen”, tha Rama.
Më pas kreu i opozitës i është referuar edhe tunelit Tiranë – Elbasan që kryeministri Sali Berisha ka përuruar paraditen e sotme.
“Sot Saliu u paraqit në një tunel me shpresën e dëshpëruar se do ta tërheqë tërë popullin në atë tunel, por e vërteta është se rrugët bëhen me paratë e popullit, ndërsa papunësia luftohet me politika; rrugët bëhen me paratë e popullit ndërsa arsimi dhe shëndetësia ndërtohen me politika. E pra, nuk ka rrugë dhe tunel që të fshehë papunësinë dhe braktisjen sociale në këtë vend. Saliu duhet të japë llogari jo para Elbasanit, por para gjithë Shqipërisë për tunelin e stërgjatë të mungesës së ujit në parcel, të pamundësisë për të nxjerrë prodhimin në treg, të pamundësisë për të jetuar normalisht. Saliu duhet të përgjigjet para gjithë shqiptarëve për tunelin e gjatë të borxheve në ushqimore; Saliu të japë llogari për tunelin e izolimit nga bota, ndërkohë që Shqipëria në 23 qershor do të vendosë të dalë nga tuneli i këtyre tetë viteve” u shpreh Rama.