Pollo takime në Berat: Do vijojmë rritjen e pensioneve

Në vijim të takimeve të tij në qarkun e Beratit, Ministri i Inovacionit dhe TIK, njëkohësisht kryesuesi i listët së PD-së në këtë qark, Genc Pollo, ka zhvilluar një takim të ngrohtë me pensionistët e këtij qyteti, përfaqësues të familjeve të vjetra beratase.Gjatë fjalës së tij Ministri Pollo ka thënë se qeveria shqiptare ka bërë gjithçka dhe do të vijojë të bëjë edhe në të ardhmen për këtë shtresë të shoqërisë, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e saj në shoqëri.“Vendimi i fundit i qeverisë së Kryeministrit Berisha për të vijuar sërish rritjen e pensioneve është treguesi më i mirë për këtë gjë” – deklaroi Pollo.Më tej Pollo tha se “Përpjekja jonë në gjithë këto vite ka qenë që moshës së tretë t’u sigurohet një jetë e qetë dhe e kënaqshme. Skema e kontributeve ka funksionuar në gjithë këto vite më së miri, ndërsa rritja e pensioneve ka qenë e vazhdueshme dhe jo për efekte elektorale.”Në këtë takim Genc Pollo është ndalur edhe në ecurinë e ndërtimit të rrugës Berat-Lushnje, duke thënë se qeveria shqiptare e Kryesuar nga zoti Berisha ka marrë zotimin ta ndërtojë këtë segment rrugor me parametra bashkëkohorë dhe në një kohë rekord.“Gjithashtu, ne mbetemi të vendosur edhe për ndërtimin e Boshtit të Jugut dhe për projektin TAP, gjë që do të shtonte edhe më tej numrin e të punësuarve në të gjithë qarkun e Beratit”përfundoi ai.