Ruli në Këlcyrë e Përmet: Bëmë 5 herë më shumë investime seç ka bërë PS në 8 vjet

Kandidatë e majtë sillen në mënyrë ofenduese me elektoratin e Qarkut të Gjirokastrës, duke u munduar të blejnë votat e tyre. Gjatë një takimi me banorët në Këlcyrë dhe Përmet, kandidati i PD-së në Qarkun e Gjirokastrës Genc Ruli tha se qytetarët nuk duhet të bien pre e premtimeve boshe të kandidatëve të majtë.“Kundërshtarët tanë po çirren e po grihen nëpër ekrane dhe po premtojnë. Gjëja që bëjnë më shumë është të nxijnë atë që kemi bërë ne, pse? Sepse u është nxirë zemra, sepse s`kanë qenë të zotët kurrë të bëjnë atë që ne kemi bërë në 8 vjet. Sepse u është nxirë zemre, se kanë tentuar 4 herë në 8 vjet të fitojnë dhe s`kanë arritur të fitojnë kurrë. Shihni ça bëjnë kandidatët e partive të majta. Shkojnë lart e poshtë nëpër Përmet dhe mburren, mburren jo me burrni politike, jo me zgjuarsi politike, por mburren me xhepin e tyre: Sa doni që të na jepni votën? Sa tollona doni që të na jepni votat e këtij fshati. Prandaj kanë ardhur këtu, duke menduar që përmetarëve ju blihet vota, që këlcyrasve ju blihet vota. Nuk e kemi atë turp dhe nuk e meritojmë atë turp që të mendojmë që Përmetit, Këlcyrës, Ballabanit, Suhës i blihet vota, jo! Këta janë qytetarë që e japin votën për interesat kryesor të zonës”, - tha Ruli.Gjatë bisedës me banorët e Këlcyrës, Ruli tha se kundërshtarët politikë nuk premtojnë asgjë dhe mbi të gjitha është historiku i së majtës që tregon se ata nuk kanë respekt për votuesit.“Neve njerëzit i shohim në sy. Na dhatë besimin në 2005, bëmë në këtë zonë, në Përmet dhe Këlcyrë dhe kudo 5 herë më shumë investime seç kishin bërë ata në 8 vjet. Deputetët e tyre mburreshin që e kishin bastion: “Ne varim xhaketën dhe budallenjtë votojnë për ne”. Ne themi jo. Këtu ka njerëz të nderuar, këtu ka njerëz që i kanë dhënë nder gjithë Shqipërisë. Këtu vetëm bagëti nuk janë, këta votojnë vetëm po panë që ajo parti që i kanë dhënë votën ua kthen besimin. Rrugët, shkollat, qendrat shëndetësore, ndihmat për fermerët dhe shumë investime të tjera janë provat se qeveria e PD-së ka ditur të kthejë besimin që qytetarët i dhanë”, - u shpreh ai.Genc Ruli tha se qytetarët para se të votojnë duhet të kujtojnë të shkuarën e Edi Ramës, shembullin e keq të sjelljes së tij me kryeqytetasit. Sipas Rulit, janë qytetarët prova më e mirë që tregojnë paaftësinë e Edi Ramës.“Rama nga mëngjesi deri në darkë thotë që ne gënjejmë. Pyesni fshatarët e Ballabanit, fshatarët e Suhës, e Buzit, a është gënjeshtër rruga që po bëhet atje? Atë rrugë e gëzojnë të gjithë, të majtë e të djathtë. Rama thotë që ne gënjejmë. Pyesni mësuesit tanë, a i kanë pagat sot dy herë më të mëdha seç i kishin në kohën e tyre? Do flasin ata më mirë seç flas unë, do thonë: Po, pagat na janë rritur dy herë dhe në kohën e tyre nuk na janë rritur as 10 %. Rama thotë që ne gënjejmë për arsimin. Pyesni nxënësit tanë, prindërit e nxënësve tanë për shkollat që ne kemi ristrukturuar? Sa nxënës janë më shumë nëpër shkolla? Sa nxënës çojmë më shumë neve deri në universitete? Gjithsecili nga ne ka mundësi që t`i thotë jo atij njeriu që gënjen nga mëngjesi deri në darkë. Rama thotë që ne s`kemi bërë asgjë për fermerët dhe që ai do bëjë për fermerët. Rama as ka denjuar të shohë fshatin, se Rama ishte për 11 vjet në krye të Tiranës dhe as nuk mendoi për qytetarët e Tiranës dhe jo më të njohë fshatin. Pyesni fermerët tanë: Kush për herë të parë ju ka dhënë para për të mbjellë falas vreshtat, ullinj, për të ngritur serat? Kemi qenë ne dhe ne nuk gënjejmë. Është vetë goja e qytetarëve, goja e vetë fshatarëve të cilët janë garantët e atyre gjërave që ne kemi bërë për ta”, - tha Genc Ruli.Qytetarëve të Këlcyrës, Ruli u tha të shohin çdo ditë si sillet Sali Berisha dhe si sillet Edi Rama, për të parë qartazi se kush prej tyre është i lodhur.“Vërtet punët që kemi bërë ne janë të mëdha, por ne nuk jemi lodhur. Kujt i është mbushur mendja që i duket i lodhur Sali Berisha, ju them shiheni që nga mëngjesi në darkë është në 10 takime...ne nuk lodhemi”, - përfundoi kandidati demokrat.