Basha: Me mbështetjen e qeverisë, do të investohet në 80 blloqe banimi
Me një investim prej 47,4 milionë lekësh, ka përfunduar rikualifikimi urban i bllokut nr. 46, në njësinë bashkiake nr.9.Në këtë bllok banimi janë rehabilituar kanalizimet e ujërave të zeza, kanalizimeve të ujërave të shiut, ujësjellësi, etj. Po ashtu, në këtë bllok janë parashikuar 65 vende parkimi për makina dhe 29 vendqëndrime biçikletash.Në fjalën e tij, Kryebashkiaku Basha theksoi se me rikualifikimin urban të këtij blloku është përmbushur një premtim dhe po implementohet një model të ri qytetërimi.“Po të shikoni cilësinë e punimeve dhe mënyrën se si duket kjo lagje tani, pas këtij investimi, do të kuptoni se sa i nevojshëm ka qenë ky investim për banorët e kësaj zone dhe çfarë lehtësirash e mundësish krijon, në përmirësimin e jetës së tyre të përditshme, që nga aksesi tek lojërat poshtë pallatit, pa qenë e nevojshme që gjyshet e gjyshërit t’i marrin e t’i çojnë në rrugë të tjera e deri tek përmirësimi i cilësisë së ambienteve, sapo dalin nga shtëpitë e tyre. Shtimi i parkimeve për makina, për biçikleta, gjelbërimi, mbjellja e pemëve të reja, një sistem modern vaditje, ndriçimi, pra një cilësi e re jete në këtë bllok, një cilësi e munguar jete që tashmë është bërë realitet. Ky investim ka një impakt tërësor, jo vetëm tek cilësia e jetës dhe tek vlera e pronës por në tërësi tek modeli i qytetërimit dhe marrëdhëniet e njerëzve me njeri-tjetrin, brenda familjes, me komunitetin, si rezultat i një investimi” – u shpreh z. BashaKreu i Bashkisë së Tiranës ka bërë të ditur se me mbështetjen e qeverisë shqiptare, plot 80 blloqe banimi do të rikualifikohen në Tiranë, çka do të thotë ndërhyrje rrënjësore mbi dhe nëntokësore.“Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ka planifikuar jo 4, as 8 por plot 80 blloqe të tjerë, 20 herë më shumë, të bashkëfinancuar nga Bashkia e Tiranës në vlerën 25%, nga qeveria shqiptare në vlerën 75%, me një faturë prej afro 100 milionë euro dhe që do të mundësojë sjelljen e kësaj cilësie, në çdo cep të qytetit të Tiranës, në qendër e në periferi. Kjo është një stekë shumë e lartë, por ashtu siç realizuam këtë projekt brenda një kohe rekord, ashtu do e realizojmë edhe atë projekt, për gjithë Tiranën, për një Tiranë moderne e evropiane që fillon nga pragu i derës së qytetarit dhe për këtë jam i sigurt se qytetarët e Tiranës, do të na mbështesin pa dallim, për besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin mes tyre, Bashkisë e qeverisë, pasi këto janë veprat me të cilat ne flasim” theksoi Basha.