Wollfarth “fshikullon”politikën: Retorika e veprimet negative mund të minojnë legjitimitetin e proçesit zgjedhor

Partitë politike duhet të heqin dorë nga zëvendësimi i vazhdueshëm i anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor të trajnuar nga KQZ-ja, pasi kjo mund të ketë një ndikim negativ serioz në punën e paanshme dhe profesionale të këtyre komisioneve. Kështu ka deklaruar Ambasadori i OSBE-se Eugen Wollfarth në një intervistë dhën për DW, ndërsa ka ritheksuar nevojën e një ndërveprimi mes partive politike për të ndërtuar besimin dhe ligjshmërinë e KQZ-së.“Fatkeqësisht, ngërçi në KQZ po vazhdon. Nuk është faji i KQZ-së. Anëtarët e mbetur po bëjnë më të mirën. Është një vendim dhe mosveprim në nivelin politik, që dëmton një proces të rëndësishëm demokratik. Padyshim, është e parapëlqyeshme, madje e detyrueshme, nga aspekti teknik dhe politik, që KQZ-ja të jetë e plotë. Ne jemi këtu për të ndihmuar në ndërtimin e një demokracie akoma më të fortë në Shqipëri. Prandaj, puna jonë në trajnimin e zyrtarëve të administratës zgjedhore, të policisë dhe në mbështetjen e edukimit të zgjedhësve po vijon e papenguar. Nevojitet dialog dhe ndërveprim mes partive politike për të ndërtuar besimin dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ne e kemi mbështetur funksionimin profesional të KQZ-së që nga krijimi i saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Lejomëni të ritheksoj: efekti i ndihmës teknike që i japim KQZ-së nuk ndikohet negativisht nga ngërçi. Gjithsesi, unë do t'u bëja thirrje partive politike të heqin dorë nga zëvendësimi i vazhdueshëm i anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor të trajnuar nga KQZ-ja, pasi kjo mund të ketë një ndikim negativ serioz në punën e paanshme dhe profesionale të këtyre komisioneve” ka deklaruar Ambasadori.Wollfarth ka shtjelluar edhe kuptimin e standardeve që kërkohen nga OSBE për zgjedhjet e 23 qershorit.“Çdo Mision i OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i vlerëson zgjedhjet mbështetur në angazhimet e OSBE-së. Këto angazhime gjenden kryesisht në Dokumentin e Kopenhagenit të vitit 1990, i cili përcakton kriteret që përdor OSBE-ja, në mënyrë që të gjitha zgjedhjet, në të gjitha vendet, të vlerësohen në bazë të të njëjtave standarde. Ka angazhime për zgjedhjet që të mbahen në intervale kohe të rregullta, lidhur me fshehtësinë e votës dhe ndarjen mes shtetit dhe partive politike – këto janë vetëm disa nga kriteret” tha ai.Ambasadori Wollfarth është shfaqur kritik me klasën politike, duke theksuar mungesën e shpeshtë e vullnetit politik për të zbatuar plotësisht legjislacionin zgjedhor me mirëbesim. Sipas tij retorika dhe veprimet negative të udhëheqësve politikë rrezikojnë të minojnë besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor.“Këto zgjedhje janë jetike për procesin e demokratizimit dhe, me siguri, do të ndikojnë në shpejtësinë e Shqipërisë në axhendën e reformave dhe, bazuar mbi këtë, në përparimin e mundshëm drejt integrimit evropian. Sikurse në proceset e shkuara zgjedhore, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e shpeshtë e vullnetit politik për ta zbatuar plotësisht legjislacionin zgjedhor me mirëbesim. Ndërsa konkurrenca politike është e natyrshme dhe e dobishme për demokracinë, retorika dhe veprimet negative të udhëheqësve politikë rrezikojnë të minojnë besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor. Klasa politike shqiptare ka mundësinë të dëshmojë pjekuri dhe përkushtim për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për Shqipërinë. Ajo duhet të dëshmojë vullnet të mirë politik dhe të angazhohet në dialog konstruktiv për të adresuar çështjet me interes, sikurse është ajo e anëtarësisë së KQZ-së. Nëse kjo nuk ndodh, zhvillimi i Shqipërisë dhe përparimi i saj drejt integrimit evropian mund të ngadalësohet akoma më shumë – një rezultat i padobishëm për askënd. Në këtë kontekst, do t'ju rekomandoja të mos harroni që njerëzit e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm zakonisht marrim më shumë fonde. Ky është një aspekt ku jeta private dhe ajo politike nuk ndryshojnë shumë” theksoi më tej ai.E ndërsa demokratizimi i Shqipërisë dhe konsolidimi i institucioneve të saj demokratike janë procese kyçe dhe jetësore në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, Ambasadori Wollfarth në përfundimin e mandatit të tij në Shqipëri ka shpjeguar dhe rolin OSBE-së në ndërtimin e një shoqërie civile aktive dhe të efektshme.“Prezenca e OSBE-së ka mbështetur zbatimin e Kartës së Shoqërisë Civile – një dokument që ofron bazën për bashkëpunim mes qeverisë dhe shoqërisë civile. Gjithashtu, ne kemi mbështetur reformën në edukimin qytetar, kemi ndërmarrë nisma për angazhimin qytetar të të rinjve dhe kemi krijuar mundësi që të rinjtë të takohen me përfaqësuesit e institucioneve kryesore, për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre për demokracinë. Mbështetja e afrimit të deputetëve me qytetarët ka qenë një tjetër përparësi e veprimtarive tona në fushën e angazhimit qytetar. Forumet me deputetët kanë krijuar mundësi për ndërveprim dhe shkëmbim pikëpamjesh. Përveç kësaj, Prezenca ka ndihmuar pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje, përmes mbështetjes që i ka dhënë Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Forumit Rinor të Aftësisë së Kufizuar. Pra, mendoj se mund ta shihni që jemi shumë të angazhuar në përfshirjen e qytetarëve dhe në ndërtimin e një shoqërie civile aktive dhe të efektshme. Më i rëndësishëm për ne është rezultati dhe këtë përpjekje e shohim në rrugë të mbarë”përfundoi Wollfarth.