Ruli takim me banorët e komunës Luftinjë: Rama kërkon të rilindë klanin e tij të korrupsionit

Të gjitha premtimet dhe besimi i dhënë do të përkthehen me punë konkrete dhe investime. Me këtë fjali e ka nisur fjalën e tij Genc Ruli gjatë një mitingu të zhvilluar në komunën Luftinjë të Tepelenës. Kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Gjirokastrës u ka thënë banorëve të kësaj komune se gjatë viteve të fundit, kjo komunë dhe banorët e saj kanë përfituar dukshëm nga qeverisja e Partisë Demokratike.“Fitoren e thonë zemrat tuaja. Nuk kam ardhur të ndez zemrat tuaja, ato janë zjarr. Nuk kam ardhur të bind mendjet tuaja, ato janë të bindura. Çfarë themi sot këtu e duam për vëllezërit tanë, për miqtë tanë, për bashkëfshatarët tanë, të binden të gjithë që ne nuk vijmë të lypim votë. Ne vijmë tu themi na dhatë një besim, ju dhamë investime, na dhatë një besim ju dhamë qeverisje të mirë”, - tha Genc Ruli.Në fjalën e tij, ministri aktual i Bujqësisë tha se teza e rilindjes është krejt e gënjeshtërt dhe e pabazë. Sipas kandidatit Ruli, i vetmi synim i Edi Ramës dhe PS-së është të rilindë korrupsionin e frikshëm, që të gjithë shqiptarët e panënë bashkinë e Tiranës kur drejtohej nga Edi Rama.“Është e para herë që në këto 22 vjet demokraci, në 8 vjet një parti dhe qeveria e saj të kenë bërë aq shumë për shqiptarët saç kemi bërë ne. Kjo na bën ne krenarë. Rama thotë që do ringjallë Shqipërinë! Kush e ka parë mirë, kush nuk ka harruar qoftë dhe një ditë të qeverisjes së tij në Tiranë si kryetar bashkie? Kush ka parë mirë historinë e partisë së tij që nga dita që ai u bë kryetar, një gjë ka të qartë, ose do ta ndihmoj unë që ta ketë të qartë: Rama nuk do të rilindë Shqipërinë, se Shqipëria ka rilindur që kur e ka bërë zoti dhe s`ka nevojë të rilindë prapë, por Rama do të rilindë klanin e tij të parasë, atë klan që e rrethoi kur ishte te bashkia. Me atë klan bleu PS-në dhe karrigen e kryetarit dhe atë klan vuri sot në listat e deputetëve se vetëm te ai klan ka besim, s`ka besim të asnjë shqiptar tjetër. Ajo që ai thotë rilindje, është vetëm rilindje e klanit dhe interesave të tij. Ne qeverisëm për shqiptarët, këtë e tregojnë xhepat e shqiptarëve, rrugët që ne kemi bërë. Cila qeveri bëri vetëm në 8 vjet? Komunizmi nuk bëri as në 50 vjet 10 mijë kilometra rrugë të asfaltuara anë e mbanë Shqipërisë. A nuk bëheshin dot? Bëheshin. Socialistët ishin 8 vjet në pushtet, nuk bënë as 500 kilometra. A nuk bëheshin dot? Bëheshin. Ne bëmë 10 mijë kilometra rrugë, sepse këto rrugë lidhin fshatrat me njëri – tjetrin, lidhin fshatin me qytetin, lidhin shqiptarët me botën. Këto rrugë dhanë mundësi që të zhvillohet ekonomia, që biznesi të investojë, që të ngrejë kokën bujqësia”, - tha Genc Ruli në Luftinjë.Gjatë bisedës me banorët e kësaj komune, kandidati i PD-së përmendi dhe arritje të tjera, si rritja e pagave, pensioneve dhe investimeve në sektorë të ndryshëm.“Ne prandaj rritëm rrogat e arsimtarëve, që të kemi arsimtarë të dedikuar ndaj fëmijëve tanë, e të na i mësojnë dijet që ata kanë nevojë. Ne prandaj dyfishuam pagat e infermierëve dhe mjekëve, që ata të na shërbejnë më mirë. Ne rritëm pensionet e fshatit dhe kur i thamë në 2005 këto premtime, pak kush i besoi, por janë dy fish sot pensionet e fshatit”, - tha Genc Ruli.Në Komunën Luftinjë, kandidati i PD-së ka takuar dhe fermerë dhe banorë të kësaj zone, me të cilët ka biseduar për platformën që ka Partia Demokratike për punësimin, investimet në bujqësi, shëndetësi dhe arsim.