Lezhë, vetëvaret i dënuari në burgun e Shën Kollit

Një i burgosur në burgun e Shen Kollit, Lezhë, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Burime nga policia bëjnë me dije se viktima është shtetasi Gjon Leka, 35 vjeç nga Mirdita, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Mbeten të paqarta shkaqet që e kanë cuar Lekën në vetëvarje, ndërsa paraprakisht dyshohet ta ketë ndërmarrë aktin në kushte depresioni pas mohimit të lejes për të vizituar familjen.Në fillim të këtij muaji me urdhër të Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi është ndërprerë dhënia e lejeve për të dënuarit në burgjet shqiptare deri në përfundim të procesit zgjedhor. Pezullimi do të vijojë deri në një urdhër të dytë, ndërsa një nga shkaqet janë edhe thyerjet e lejeve nga tre prej të dënuarve, përkatësisht në burgjet e Fushë Krujës, Burrelit dhe Peqinit. Megjithatë, jozyrtarisht mësohet se shkak për mosdhënien e lejeve është edhe proçesi zgjedhor.