Shqiptarët e ndaluar në Francë, MPJ: Janë 25, arrestimi për mungesë dokumentacioni

Ministria e Jashtme ka reaguar pas publikimit të lajmit në media se prej tre ditësh në zonën e Kalésë mbahen të ndaluar rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkuar si turistë në Francë. Sipas këtij lajmi, një nga shtetasit e ndaluar, Aldrin Kuqi, pretendon se policia franceze mendon se shqiptarët kanë shkuar në Francë për azil politik, ndërkohë që askush nga personat që po mbahen në paraburgim, nuk e ka çuar në mend këtë gjë. Shtetasi Kuqi thotë se ata kanë kërkuar ndihmë nga ana e përfaqësuesve të Ambasadës shqiptare në Francë, por që sipas tij deri më tani askush nuk është interesuar për fatin e tyre”.Lidhur me rastin MPJ në një deklaratë për mediat sqaron se Ambasadës Shqiptare në Paris nuk i është kërkuar asnjë ndihmë deri në këto momente.“Ambasada shqiptare e ka për detyrë të interesohet për çdo rast të shkeljes së të drejtave të shtetasve shqiptarë që gjenden përkohësisht në Francë dhe angazhohet seriozisht për t’u ardhur në ndihmë atyre, siç edhe ka ndodhur vazhdimisht. Sidoqoftë, për rastin konkret, në të kundërt të asaj që pretendohet në lajmin e bërë publik nga disa organe të shtypit shqiptar, Ambasada nuk ka marrë asnjë njoftim dhe asnjë kërkesë për ndihmë. Për rastin që përmendet në shtypin shqiptar, pas interesimit të Ambasadës, autoritetet policore franceze bënë të ditur se në kampin e Coquelles-ës (Calais) ndodhen deri në mbrëmjen e datës 9 qershor 2013, 25 shtetas shqiptarë të ndaluar që prej ditëve të para të muajit qershor.Autoritetet franceze njoftuan se këta persona janë ndaluar nga policia franceze për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit. Sipas informacionit të dhënë nga ana e autoriteteve të policisë kufitare të Calais-së, disave prej këtyre personave iu ka mbërritur pasaporta biometrike në qendrat e ndalimit pasi janë ndaluar dhe, për rrjedhojë, ata nuk do të mund të lirohen menjëherë por, gjithmonë sipas procedurave të shtetit francez, vetëm pasi të merret një vendim nga gjykatësi francez i çështjes. Sipas informacioneve më të fundit të dhëna nga autoritetet e policisë kufitare të Calais-së, shtetasi Aldrin Kuqi, i cili përmendet si burim i informacionit në shtypin shqiptar, është ndaluar në datën 6 qershor 2013 dhe pritet të dalë përpara gjykatës franceze ditën e hënë, më 10 qershor 2013. Ambasada shqiptare në Paris po e ndjek situatën në vijimësi dhe mbetet e gatshme për çdo informacion të mëtejshëm” sqaron MPJ.Ambasada shqiptare sqaron se nga policia franceze në Calais - ashtu si edhe në pika të tjera të kalimit kufitar të Francës -, ndalohen të gjithë të huajt klandestinë (pa dokumente identifikimi ose me dokumente false), të cilët tentojnë të kalojnë në territorin e Britanisë së Madhe. Calais nuk përbën një zonë turistike e cila vizitohet nga të huajt për qëllime turistike, por kryesisht shërben si pika më e afërt portuale dhe hekurudhore me Britaninë e Madhe, me synim kalimin në këtë vend nga emigrantët klandestinë.Policia franceze e kufirit i ndalon këta shtetas pasi konstaton se ata nuk kanë dokumente te rregullta udhëtimi e qëndrimi në territorin francez ose/dhe pasi i merr në dorëzim nga policia angleze (kur bëhet fjalë për ata që kanë mundur të hyjnë ilegalisht në territorin britanik dhe janë ndaluar nga policia angleze).Më konkretisht, edhe shtetasit shqiptarë që hyjnë në Francë me pasaporta biometrike, por që tentojnë të kalojnë në territorin e Britanisë së Madhe i hedhin, fshehin ose ua lënë në dorëzim dikujt përkohësisht pasaportat e tyre, në momentin e ndalimit nga policia franceze gjenden pa asnjë dokument ose me dokumente false. Për këtë arsye dhe sipas legjislacionit francez në fuqi, ata përcillen në qendrat e ndalimit (frëngjisht: centres de rétention).Sipas procedurës franceze në raste të tilla, këta qytetarë mbahen nëpër qendra ndalimi derisa të merret një vendim nga ana e gjykatave franceze, vendim i cili, në shumicën e rasteve, vendos kthimin e tyre në atdhe. Kjo procedurë zgjat nga disa ditë deri në dy-tri javë. Pas kësaj, policia franceze i drejtohet Ambasadës shqiptare në Paris dhe i kërkon që këta shtetas, në mungesë të pasaportës, të pajisen me leje kalimi, me qëllim kthimin e tyre në Shqipëri. Ambasada nga ana e saj, pas kërkesës së autoriteteve franceze dhe pas verifikimeve të nevojshme të identitetit të personave të ndaluar, e lëshon menjëherë lejen e kalimit, madje në shumicën e rasteve në një kohë rekord, brenda ditës.