AP prezanton kandidaten në Durrës, Dojaka: Votoni për bijën tuaj
Aleanca Popullore hapi sot fushatën elektorale në Durrës, ku prezantoi edhe kandidatët për deputet në këtë qark. Në një tubim madhështor, ku kanë marrë pjesë qindra mbështetës dhe simpatizantë të kësaj force politike, kryetari i Aleancës Popullore, Artur Dojaka kërkoi nga votuesit jo vetëm në Durrës, por në mbarë vendin të votojnë për forcën që ai drejton, e cila në themel të programit të saj ka çështjen kombëtare edhe atë çame. Dojaka theksoi se çështjet kombëtare nuk mund të jenë më paterica e radhës ku gjejnë mbështetje politikanët aksidentalë të politikës shqiptare.
“Aleanca Popullore është tashmë ajo parti politike, e cila në themel të saj ka mbrojtjen dhe promovimin e çështjes kombëtare dhe në veçanti çështjen çame. Të zhgënjyer dhe të rrezikuar nga vorbullat politike në të cilat disa rrugëhumbur e kanë futur sot çështjen çame, duke mos dashur të humbim kohën e vlefshme për të reaguar politikisht, i kemi marrë në dorë vetë fatet tona, fatet e Çamërisë. Jemi këtu sepse duam një Shqipëri më të mirë për çamët, labërit, myzeqarët, dibranët, e pra një Shqipëri më të mirë për shqiptarët e kudondodhur anë e mbanë botës. Çështjet kombëtare nuk mund të jenë më paterica e radhës ku gjejnë mbështetje politikanët aksidentalë të politikës shqiptare. Komuniteti çam është një komunitet shumë vital, vetëpërfaqësues, nuk ka nevojë për t’u drejtuar nga të vetëzgjedhur si kryetar të tij, por të gjithë ne së bashku duke dhënë vetë shembullin tonë duhet të ndjekim këtë kauzë të drejtë, kauzën e çështjes çame”, - u shpreh kreu i AP-së, Artur Dojaka, duke i bërë thirrje popullit durrsak dhe komunitetit çam në këtë qytet që të votojnë për bijën e tyre, Zhaneta Saliu.
Kandidatja e AP-së për deputete në Durrës, Zhaneta Saliu siguroi se në parlamentin e ardhëm, ajo do të jetë zëri i gruas shqiptare dhe asaj çame. Saliu iu drejtua me një apel, politikanëve, intelektualëve dhe figurave publike që të heqin maskat dhe ta trajtojnë çështjen çame si një çështje reale, si një domosdoshmëri dhe nevojë e kohës që kërkon zgjidhje.Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Prof.Dr.Pëllumb Xhufi, i cili teksa ka shpjeguar arsyet pse ndodhej aty, ka deklaruar hapur edhe mbështetjen e tij ndaj Aleancës Popullore.“E them hapur: PDIU, që ka pretenduar të përfaqësojë në këto vite çështjen çame, e ka braktisur në mënyrë të turpshme atë. Kjo parti, pa ndonjë konsultim paraprak me votuesit e saj, pranoi të bëhej pjesë e qeverisjes, por përtej flamujve, premtimeve pompoze e tam-tameve, nuk i dha asnjë shtytje çështjes çame. Përkundrazi, e katandisi atë në një variabël, në funksion e në varësi të marrëdhënieve të mira me pushtetin dhe të vetë interesave personale të drejtuesve të PDIU. Këta u tërhoqën nga çdo betejë e shpallur: u tërhoqën nga beteja për refuzimin e regjistrimit të popullsisë të bërë sipas kritereve që u imponuan nga Athina, u tërhoqën nga beteja aq e trumbetuar për Rezolutën Çame, duke shpallur në mënyrën më qesharake si të vlefshëm një projekt-rezolutë të harruar në sirtarët e pluhurosur të Parlamentit, e duke mbytur pabesisht interesin dhe sensibilitetin që do të ngjallte një rezolutë e vërtetë, e përditësuar dhe angazhuese. Ja, të dashur miq, pse ne nuk duhet të lodhemi e të mërzitemi së kërkuari njerëzit dhe partinë e duhur për t’i besuar çështjen e shenjtë të Çamërisë. Unë jam i bindur se kësaj radhe kemi partinë dhe njerëzit e duhur”, - u shpreh Xhufi.Një moment i veçantë në aktivitetin e AP-së në Durrës ishte edhe leximi i poezisë së Bilal Xhaferrit “Trëndafili i Çamërisë” nga aktorja e aktorja e njohur Sanije Hoti.