Dhunimi i Hoxhës, Topi: Akt kriminal, policia nuk veproi

Kreu i FRD-së Bamir Topi ka dënuar sot dhunën e ushtruar ndaj kandidatit për deputet të kësaj force politike në Roskovec Mit`hat Hoxha.Në një konferencë për shtyp, Topi ndërsa e ka cilësuar plagosjen e Hoxhës si një akt të rëndë kriminal ka kritikuar ashpër edhe policinë e shtetit që sipas tij nuk ka vepruar në kohë për parandalimin e kësaj ngjarje të rëndë."Dua të denoncoj një akt të rëndë kriminal që ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës ku persona tashmë të identifikuar kanë dhunuar kryetarin e FRD-së për Roskovecin dhe njëherësh edhe kandidat për deputetë Mit`hat Hoxhën. Si ish-president i republikës dhe si politikan i përgjithshëm jam i prirur të mos vendos gishtin tek asnjë forcë politike pasi në të tilla raste ajo që ka rëndësi është roli i institucioneve të shtetit dhe këtu kam një kritik të ashpër për përfaqësuesit e policisë së shtetit në Fier të cilët nuk kanë marrë mundimin që të jenë prezent dhe aq më shumë pas denoncimeve të Hoxhës policia e shtetit që ka për detyrë të mbrojë jetën dhe integritetin e kandidatëve për deputetë” tha Topi.Gjithashtu kreu i FRD-së hodhi akuza të ashpra edhe ndaj qeverisë e cila sipas tij përpara se të bëjë premtimet elektorale të sigurojë jetën e kandidatëve për deputetë.“Unë i drejtohem drejtpërdrejti atij që e ka për detyrë sipas ligjit dhe kushtetutës që të garantoj një proces të lirë dhe të ndershëm që përpara se të japë premtimet për 4 vitet e ardhshme të sigurojë integritetin e personave që kandidojnë.  Ky pushtet i cili operon me falanga të tilla duhet patjetër ti vërë gishtin kokës sepse jemi në një situatë që nuk nderon as instiucionet e Shqipërisë por na vë edhe një njollë të zesë te ndërkombëtarët.  Unë dëshiroj ti uroj një shërim të shpejtë zotit Hoxha dhe siguroj kandidatët për deputetë të FRD-së që do të jemi pranë tyre duke i siguruar që FRD-ja nuk shantazhohet por do të punojë për të rikthyer standartet e shtetit ligjor” tha Topi.Ndërkohë Topi gjithashtu ka prezantuar edhe tre kandidatët të FRD-së që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore që sipas tij do të zhvillohen në një ditë me ato të përgjithshme.