Meta: Sfida jonë në Vlorë, 2 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim në qytetin e Sarandës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 12 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Vlores. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar në veçanti kandidaten për deputete të LSI-së në Rrethin e Sarandës, Katina Gogo, u shpreh se edhe në qarkun e Vlorës, sfida e LSI-së është për të marrë të paktën 2 deputetë.Kreu i LSI-së kerkoi bashkepunimin e qytetareve që Saranda me qytetari ta përcjellë Kryeministrin aktual një herë e përgjithmonë në opozitë dhe të hapë rrugën e një alternative të re të një mazhorance të re, e cila do të kujdeset për Sarandën me dashuri e përkushtim dhe me programe konkrete.
“Ndaj LSI e kërkon mbështetjen tuaj më 23 qershor, sepse LSI-ja ka një program të qartë në radhë të parë për punësimin. Të gjitha politikat e LSI-së synojnë në nxitjen dhe rritjen e punësimit, që nga politikat në fushën e arsimit, që synojnë rritjen e arsimit të mesëm profesional dhe rritjen e fuqizimin e formimit profesional sidomos për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që duan një profesion dhe që të gjejnë një punë të parë për të filluar jetën me dinjitet dhe siguri tek e ardhmja”, tha Meta.Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se “prandaj ne besojmë te programi i LSI-së për punësimin, te programi i LSI-së për rritjen, zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë dhe së industrisë agropërpunese, për mbështetjen e punësimit, që është një tjetër potencial i rëndësishëm për të gjithë vendin dhe sidomos për Sarandën, në zhvillimin e shërbimeve, në zhvillimin e turizmit që është një pasuri e madhe për Sarandën dhe për të gjithë vendin. Ne do të ulim TVSH-në për shërbimet turistike në 10% në mënyrë që të konkurrojmë më mirë me vendet e tjera të rajonit. Ne jemi të bindur se vetëm duke mbështetur politikën e taksave në funksion të punësimit do të arrijmë të hapim shumë e shumë vende të reja pune. Berisha thotë se rrugët sjellin zhvillim, megjithëse ka kaq vite që nuk rregullon dot rrugën nga Memaliaj në Tepelenë. Unë dua t’iu jap një fakt i cili është shumë tronditës lidhur me Rrugën e Kombit, e cila u inaugurua katër vjet më parë. Sot në qytetin e Kukësit në raport me 4 vjet më parë kur u inaugurua kjo rrugë, e cila duhej të sillte një progres të jashtëzakonshëm ekonomik dhe social për këtë qytet, sepse nga 7 orë që bëhej Tiranë-Kukës falë kësaj rruge distanca u shkurtua në një orë e gjysmë, mund t’iu them se numri i familjeve që jetojnë me asistencë sociale gati është dyfishuar. Dy mijë familje në qytetin e Kukësit jetojnë me një asistencë sociale prej rreth 30-40 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo do të thotë se rrugët vërtetë janë një progres, por janë të tilla kur mbështeten me politika konkrete në funksion të rritjes së punësimit dhe të zhvillimit të ekonomisë lokale nga një qeverie e përgjegjshme dhe e kujdesshme”, tha Meta.Ai u shpreh se vendi ka nevojë për një vizion tjetër për zhvillimin ekonomik të tij.
“Përrallave se Shqipëria po ia kalon edhe Gjermanisë u ka ikur koha sepse jo në Kukës, por edhe në Sarandë që është kaq pranë detit dhe gjithë këtyre të mirave të natyrës ka një varfëri dhe ka një papunësi mjaft të ndjeshme që është e papranueshme për mundësitë dhe për resurset që ka komuniteti juaj për të ecur më shpejt përpara në rrugën e prosperitetit. Por, absolutisht që duhet një qeveri e përgjegjshme, duhet një qeveri e cila çdo ditë ka në axhendën e saj problemet më konkrete të qytetarëve dhe jo një qeveri dhe një Kryeministër që e kanë mendjen sesi të bëjnë lajme gjithë ditën duke dalë live dhe të shqetësojnë edhe fëmijët të cilët duan të shikojnë ndonjë film apo edhe gratë që duan të shohin ndonjë telenovelë. Ne duam t’i japim fund këtij politizimi ekstrem të gjithë jetës sonë shoqërore. Politika duhet të dalë sa më pak në ekrane dhe në plan të parë duhet të dalin njerëzit, duhet të dalin problemet e tyre sociale”, vijoi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.Meta tha se qeveria duhet të punojë me modesti dhe përkushtim për t’i zgjidhur këto probleme. “23 qershori është një punë e mbaruar. Tani sfida jonë është për një fitore sa më të thellë. Edhe në qarkun e Vlorës, sfida jonë është për të marrë të paktën 2 deputetë si Lëvizje Socialiste për Integrim. Ndaj kërkojmë mbështetjen e Sarandës dhe Delvinës për të arritur këtë objektiv. Ne do t’ua kthejmë me përkushtim, me përkujdesje mbështetjen tuaj gjatë katër viteve që vijnë çdo ditë duke nisur nga 24 qershori. Unë jam krenar që ne si LSI kemi në listat tona të kandidatëve për deputetë rreth 50 zonja dhe vajzat dhe nga më të shquarat në të gjithë Shqipërinë. Por, jam veçanërisht krenar këtu në Sarandë që ne kemi një zonjë të nderuar, një mësuese dhe pedagoge të përkushtuar, që i ka mësuar me profesionalizëm dhe dashuri fëmijët e Sarandës, zonja Katina Gogo. Ndaj dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve dhe sidomos të gjithë grave dhe vajzave ta mbështesin Katinën, ta mbështesin Lëvizjen Socialiste për Integrim”, tha ai.Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, iu drejtua të gjithë të rinjve të pranishëm në takim që të votojnë LSI-në pasi sipas tij LSI është forca e të rinjve.Lista e kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Vlorës kryesohet nga Shkëlqim Selami, nr. 2 i listës është znj. Katina Gogo, dhe vijon me Kasëm Cenaj, Thodhori Shia, Luçiana Koprencka, Klajdi Mati, Diana Murati, Juna Hoxhaj, Kamber Zj, Apostol Qirko dhe Beqir Kashiri.