Krasniqi: Dalja nga pakoja e Ahtisarit rrezikon dialogun
Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dialogu i filluar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por në rast të daljes nga pakoja e Ahtisarit, atëherë më shumë do të dëmtoheshin proceset në normalizim të marrëdhënieve."Unë nuk dua të jem paragjykues. varet shumë nga ata që bisedojnë se si do të arrijnë marrëveshjet. Por gjithnjë po mbes aty nëse tejkalohet dokumenti gjithëpërfshirës i cili ka bërë një zgjidhje më fatlume sa i përket komunitetit pakicë se vendet e tjera të rajonit, unë mendoj se më tepër mund të i dëmtoj çështjet se sa të ndihmojë", ka theksuar Krasniqi.Por sa i përket mungesës së informimit të Kuvendit dhe presidentes Atifete Jahjaga nga ana e kryeministrit kosovar Hashim Thaci, Krasniqi thotë se këtë formë e ka zgjedhur vetë Thaçi."Unë kam qenë i njohur se edhe Rezoluta e miratuar në Kuvend ka qenë për ato bisedime që janë zhvilluar. Ne kemi pasur një takim në kuadër të Partisë Demokratike dhe aty ka qenë kryesia dhe unë jam pjesë e saj dhe nuk jam në atë drejtim i panjohur. Në vijën institucionale natyrisht ka zgjedhur formën e vet të informimit", ka thënë Krasniqi.Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk ka komentuar zërat për një koalicion të mundshëm të PDK-së me AAK dhe as për kërkesën e kësaj të fundit që të qeverisë me vendin, duke theksuar se qeverisja i takon partisë që fiton zgjedhjet."Unë nuk dua të bisedoj për çka nuk kemi biseduar. Për çështje që bluhet në kokat e individëve dhe dëshirat e tyre është diçka tjetër. Unë e mbroj faktin që partitë politike kanë dal në zgjedhje me qeverisë vendin dhe populli, qytetarët e kanë përcaktuar kush duhet të qeverisë vendin dhe këtë e qeverisë subjekti i cili merr më se shumti vota. Çdo shmangie nga kjo është mos respektim i vullnetit qytetar", ka deklaruar ai.Kryetari i Kuvendit të Kosovës thotë se brenda PDK-së ka gjëra të cilat duhen korrigjuar.