Schulz: Kosova ka të ardhme evropiane

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka thënë se ekziston mendimi i përbashkët i anëtareve të Bashkimit Evropian se Kosova ka një të ardhme evropiane.“Megjithëse pesë vende anëtare nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ekziston mendimi i përbashkët se Kosova ka një të ardhme evropiane dhe duhet të ketë perspektivën e anëtarësimit në BE. Mundësia e arritjes së një marrëveshje asociim-stabilizimi do të thotë që autoritetet dhe qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të bashkëpunojnë me BE-në në zbatimin e atyre reformave që janë të nevojshme për të ecur përpara dhe për të garantuar pa kufizime shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Më tej, ky është edhe një sinjal më shumë që tregon se Kosova ka shansin të ndjekë në përputhje me perspektivën evropiane të njëjtin kurs si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Schulz në një intervistë për DW.Duke u përgjigjur në pyetjen për mundësinë e pezullimit të udhëtimit pa viza për disa vende ballkanike, kreu i Parlamentit të BE-së tha se aktualisht po bisedohet për pezullimin e regjimit të lëvizjes pa viza për disa vende të Ballkanit Perëndimor (Serbinë, Maqedoninë, Bosnjë- Hercegovinën dhe Shqipërinë).“Ajo që mund të them është se për Parlamentin e BE-së liria e vizave për qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimit, në kuadër të integrimit evropian, është një nga përparësitë më të prekshme dhe një nxitje e qartë për të çuar përpara reformat në fushën e drejtësisë dhe rendit”.Ndërkaq, sa i përket kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Schulz deklaroi se raportet e komisionarit për zgjerimin Füle ishin pozitive për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë.“E qartë është se vendet e përmendura kanë perspektivë evropiane. Por e qartë është gjithashtu se për t''u anëtarësuar në BE duhet të përmbushen të gjitha kriteret që janë të njohura dhe të njëjta për të gjithë: kriteret e Kopenhagës, si për shembull rendi demokratik dhe i shtetit ligjor, respektimi i të drejtave humanitare dhe civile, respektimi dhe mbrojtja e pakicave, një ekonomi tregu funksionuese si dhe pranimi e zbatimi i gjithë kuadrit ligjor të BE-së. Në Shqipëri fjala është në radhë të parë për forcimin e mëtejshëm të shtetit ligjor, garantimin e aftësisë funksionuese të ekonomisë së tregut, reformat në fushat e drejtësisë dhe administratës publike dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, kriminalitetit të organizuar dhe pastrimit të parave. Konstatoj me kënaqësi se është arritur jo pak në zbatimin e reformave, por i bëj megjithatë thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës për këto reforma që të vazhdojnë me vendosmëri në këtë rrugë dhe të kenë guxim për të ecur përpara”, tha kreu i Parlamentit Evropian.