Kusari-Lila: Rajonit i duhen më shumë reforma ekonomike

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila tha sot se vendet e rajonit duhet t'i thellojnë reformat ekonomike për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike në vitet e ardhshme. Këto pohime ajo i bëri në takimin Ministror të Komitetit për Investime të Evropës Juglindore.Kusari-Lila ka thënë në këtë takim se deri në 2020 vendet e rajonit duhet bëjnë reforma si rezultat i të cilave do të vijë deri te rritja ekonomike."Deri më 2020, vendet tona duhet të ndërmarrin reforma të cilat do të garantojnë rritje ekonomike për të gjithë rajonin. Kosova, ishte një nga vendet e rralla në Evropën Juglindore që vitet e fundit ka shënuar rritje solid ekonomike. Përderisa, disa vende në rajon kanë pasur rritje negative ekonomike, Kosova ka vazhduar trendin e rritjes ekonomike me rreth 5%. Ne jemi të bindur se rritja ekonomike e Kosovës do të vazhdojë dhe do të ngritet edhe më shumë deri në 2020", tha Kusari-Lila, bëhet e dikur përmes një komunikate të MTI-së.Sipas saj, për të ngritur nivelin e konkurrueshmërisë regjionale dhe rritjen ekonomike, veçanërisht pas krizës ekonomike globale, ministrat e vendeve të rajonit u pajtuan që deri më 2020 rajoni duhet të ngrit integrimin tregtar dhe ekonomik, duhet të reduktojnë deficitin tregtar, duhet të vazhdojnë përmirësimin e politikave ekonomike për të ngritur investimet e jashtme, të stimulojnë eksportet, të promovojnë politikat e punësimit të qëndrueshëm dhe të ngrit efikasitetin e qeverisjes.Në këtë drejtim, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se duhet të jemi optimist për të ardhmen ekonomike të rajonit."Integrimi tregtar në mes vendeve të rajonit është duke u thelluar. Vendet e Evropës Juglindore, pas Bashkimit Evropian, janë partneri i dytë më i madh ekonomik i Kosovës dhe për këtë arsye ne jemi shumë të interesuar që perspektiva ekonomike e rajonit të jetë e sigurt dhe pozitive", ka thënë ajo.Për më tepër, takimi i Komitetit Ministror për Investime i Evropës Juglindore është ngjarje e përvitshme që organizohet nga Këshilli Ekonomik Regjional me seli në Sarajevë. Ky Këshill promovon bashkëpunimin e ndërsjellë dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të vendeve të Evropës Juglindore dhe ka për qëllim stimulimin e zhvillimit ekonomik të rajonit.