Vulin: S’do të kishim bisedime me një Kosovë të pavarur…
Askush nuk duhet të presë që Serbia do të marrë pjesë në krijimin e shtetit të Kosovës. Dhe, edhe nëse është e saktë se shumë gjera nuk po na shkojnë mirë, besoj se është e mundur të gjendet zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën, që do të ishte pozitive për ne, ka thënë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin. Përkundër faktit se BE dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësia e Kosovës është një çështje e përfunduar, Vulin thotë se “nuk do të uleshim në tryezë po të ishte kjo kështu”.“Kanë kaluar kohët kur Serbia nuk ka kërkuar asgjë e as nuk ka propozuar gjë. I kemi dhënë fund asaj që të pajtohemi me pozicionin ku ne nuk vendosim bash për kurrgjë, dhe ku ne asgjë nuk kërkojmë. Ne nuk shkojmë në bisedime që të na shtrohen kërkesat. I kemi edhe ne kërkesat tona dhe për ato do të flitet”, ka thënë Vulin për “Veçernje Novosti”.Duke folur për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, tha se fjala është për njohje indirekte të Kosovës nëse në kufij nuk do të ishte EULEX-i.“Nëse atje do të kishte doganë, atëherë do të shkelej integriteti territorial i Serbisë. Serbia nuk i do doganierët shqiptarë në vendkalimet administrative, por autoritetet tatimore”, tha Vulin.Kur është fjala për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, Vulin thotë se është e papranueshme që për shkak të regjistrimit të makinave të merret shtetësia kosovare”.“Duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Kjo është arsyeja pse kemi hyrë në negociata të sponsorizuara nga BE-ja, e cila fillimisht tha se nuk do të detyrojë askënd në atë që nuk duam. Duhet të gjendet një zgjidhje që shmangë gjurmët e legjislacionit të Prishtinës”, tha Vulin, duke shtuar se Serbia do të vazhdojë të financojë institucionet e saj në veri dhe në jug të lumit Ibër në Kosovë.