Hoxhaj në Mal të Zi: Prioritet forcimi i pozitës së shqiptarëve
Është prioritet i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, që t'i mbështesë, t'i promovojë dhe në të njëjtën kohë t'i forcojë pozitat e shqiptarëve, kudo që jetojnë rreth Republikës së Kosovës. Kështu ka pohuar ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit që kishte me kryetarin e Partisë Demokratike dhe deputetin e Kuvendit të Malit të Zi, Fatmir Xheka.Ai ka thënë se Qeveria e republikës së Kosovës, ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Qeverinë e Malit të zi dhe se të dy ministritë e këtyre dy vendeve, kanë kontakte të rregullta në baza ditore dhe javore dhe konsultime për çështje të interesit bilateral. Mirëpo për ta, siç tha Hoxhaj, është shumë me rëndësi, që të kenë bashkëpunim të mirë, me të gjitha partitë politike, e veçanërisht me Partinë Demokratike dhe kryetarin Xheka."Unë e informova për zhvillimet në Kosovë, ndërsa dëgjova dhe për progresin që ka bërë Mali i Zi, gjatë këtyre viteve të fundit dhe për pozitën e avancuar që kanë shqiptarët në Mal të Zi dhe për të gjitha aspiratat që kanë në Mal të Zi. është prioritet i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, që t'i mbështet, t'i promovojë dhe të njëjtën kohë t'i forcojë pozitat e shqiptarëve, kudo që jetojnë rreth Republikës së Kosovës. Prandaj dhe ky takim ndodhi në frymën e këtij misioni" tha Hoxhaj.Ndërsa Fatmir Xheka, kryetar i Partisë Demokratike në Mal të Zi, ka falënderuar ministrin Hoxhaj për përkrahjes dhënë shqiptarëve të Malit të Zi. Ai po ashtu ka thënë se ministri Hoxhaj, ka premtuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, për çdo shqetësim dhe çdo gjë, që do ta kenë shqiptarët në Mal të Zi."Një lajm në interes për shqiptarët në Mal të Zi, është që kryetari i shtetit përkrah plotësisht formimin e Komunës së Malësisë me qendër në Tuz. Kjo do të jetë komuna e dytë shqiptare në Mal të Zi, që është një hap shumë i madh për politiken shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë. Këto çka sot biseduam morëm edhe përkrahjen nga ministri, që çdo shqetësim dhe çdo gjë që ne do të kemi, do ta kemi përkrahjen e ministrit dhe Qeverisë" u shpreh Xheka.