Thaçi kërkon seriozitet nga homologu Daçiç në komentet rreth Brukselit
Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk po i pëlqen aspak joserioziteti i homologut të tij serb, Ivica Dacic, në lidhje me takimet që po zhvillohen në Bruksel nën ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.Dacic tashmë e ka bërë zakon të komentojë secilin takim, duke dhënë detaje të takimeve - jo bisedimeve, por batutave që shkëmbehen aty apo rreth asaj se çfarë u kanë shërbyer nikoqirët europianë.Sipas Thaçit, kjo çfarë po bën Dacic është mungesë etike.“Nuk është etike dhe nuk është pjesë e traditës sime dhe popullit tim komentimi apo përfolja e drekave apo darkave që shtrohen nga nikoqiri, e që në këtë rast ajo u shtrua nga Baronesha e respektuar Ashton”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi për Gazetën Expres.Por, Thaçi e ka edhe një shpjegim për sjelljen e Dacic.“Si duket atë ende e mban të dehur shlivovica ‘festive’ e humbjes së luftës së Kosovës në vitin 1999”, ka deklaruar Kryeministri.“Unë kudo që kam qenë dhe do të shkoj, do të sillem konform etikës sime njerëzore dhe obligimeve kushtetuese. Në drekat apo darkat e tilla respektoj standardet protokollare. Përfolja e darkës së Brukselit nga Dacici nuk është etike, shtoi Thaçi.Këto reagime, ndërkaq, vijnë pas komenteve që Ivica Dacic i ka bërë për darkën e fundit të përbashkët me Thaçin, e të cilën e ka shtruar Baronesha europiane Catherine Ashton.Dacic kishte dhënë detaje për ushqimin e shtruar në darkën e së mërkurës për të përditshmen serbe “Press”.“Na shërbyen me paragjellë, e pastaj me supë perimesh. Si pjatë kryesore ishte mishi i viçit me garniturë. Unë piva ujë, e Thaçi verë të kuqe”, kishte thënë Dacic. Ndër të tjera kishte lëshuar komente rreth asaj se Thaçi në takim ka pirë verë.“Unë nuk pi kurrë alkool, sidomos jo në situata të tilla të rëndësishme. Pastaj na shërbyen me pemë dhe desert. Vërtet nuk e di se çka kishte nga ëmbëlsirat në meny, e as nuk kam shikuar se çka shërbejnë”, ka thënë Ivica Dacic për “Press”.Por, as dallimet në pije nuk bënë që takim të përfundojë pa ndonjë pajtim.Që të dy kryeministrat pas takimit konfirmuan për media se kanë rënë në një gojë sa i përket disa çështjeve, që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve ndërshtetërore, kusht ky për integrimet europiane të të dyja shteteve.Ata u morën vesh që zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, apo IBM, të fillojë në dhjetorin e këtij viti, që Serbia të bëjë transparent financimin e strukturave të saj të paligjshme në Kosovë si dhe të intensifikohen takimet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.Në parim të dy vendet ranë dakord edhe për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Nish.