Thaçi i gatshëm të raportojë në Parlament për takimin me Daçiç

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shpreh gatishmërinë e tij për të raportuar në Kuvendin e Kosovës për takimin e dytë, të zhvilluar pak ditë më parë në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.“Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Hashim Thaçi i ka drejtuar sot një shkresë zyrtare Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Kryesisë së Kuvendit, ku ka shprehur gatishmërinë që të raportojë para Kuvendit të Kosovës lidhur me takimin e dytë të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton”, theksohet në shkresën zyrtare të Thaçit.Takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç u zhvillua të mërkurën në Bruksel, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.Diskutimet janë përqendruar rreth aspekteve të normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve dhe është rënë dakord vijimi i punës për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura.