Konfindustria-politikës: Të nisë puna për Gjykatën Administrative
Konfindustria i bën apel politikës shqiptare të gjejë gjuhën e parbashkët dhe të nisë sa më parë punën për fuksionimin e Gjykatës Administrative.Në një deklaratë për shtyp, konfindustria thekson se është e papranueshme dhe nuk ka asnjë arsyetim të qëndrueshëm, që ende edhe pas pothuaj 5 muaj nga miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative për shkak të përplasjeve politike nuk është e mundur fillimi i punës për shkak të moskalimit në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit per Gjykaten e Lartë, qe kerkon votat e 3/5 deputeteve.“Përballja e biznesit me administratën tatimore, doganore, inspektoriatët është dhe do të jetë e përhershme për vetë natyrën e tyre, por ka disa raste kur është më e ashpër. Në kohë krize ekonomike përballja është më e fortë, sepse nga njëra ane bizneset kanë vështirësi objektive në pagesa dhe shlyerje detyrimesh dhe nga ana tjetër administrata është më kërkuese për të realizuar të ardhurat e parashikuara në buxhet. Sa më sipër e tregojnë në mënyrë të njëpasnjëshme vitet kur pasojat e krizes globale janë ndjerë ashpër edhe në Shqipëri. Nga viti 2009 e deri më tash mbështetur në të dhënat, që vijnë pranë Konfindustrisë, është rritur ndjeshëm numri i rasteve të përballjeve biznes-administratë tatimore” thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.Konfindustria vlerëson, se pikërisht Gjykata Administrative, si një hallkë e munguar e sistemit të drejtesisë shqiptare, do të jetë zgjidhja e vërtetë në afatgjatë në dhënien e drejtësisë në problematikën e përballjes së përhershme të biznesit, por edhe qytetarëve ne përgjithesi me administratën shtetërore.“Të gjitha veprimet e tjera janë të padobishme dhe mund të shërbejnë dhe përdoren vetëm për përfitime politike në afatshkurtër pa asnjë ndikim thelbësor në të mirë të qytetareve dhe biznesit” përfundon deklarata e Konfindustrisë.