Rama në Prishtinë: Politika të mos e shfytëzojë 100-vjetorin

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama nga Kosova ka bërë thirrje për një reflektim të politikës  në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë.Në hapjen e ekspozitës  në Prishtinë, Rama tha se 100-vjetori i pavarësisë nuk duhet shfrytëzuar në funksion të politikës së ditës dhe as për të kremtuar një madhështi, që  sipas tij është madhështia e të tjerëve që ngritën flamurin dhe atyre që  në emër të flamurit bënë vepra të mëdha për kombin tonë."Nuk mund të themi që është madhështia e atyre që kanë në dorë të festojnë 100-vjetorin. 100-vjetorin ne duhet ta shfrytëzojmë si një moment të reflektimit në funksion të një amaneti dhe si një moment kur na takon që për të mirën e shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, t'i bashkojmë forcat të krijojmë një hapësirë ku idetë qarkullojnë, dhe të biem në dakord për qëllime të përbashkëta, në mënyrë që 1912 të jetë pasqyra ku ne shohim të ardhmen tonë të përbashkët e jo thjeshtë dita të cilës ne i referohemi vetëm për të mbuluar për çfarë nuk i ofrojmë dot në të përditshmen shqiptarëve këndej dhe andej kufirit", ka thënë Rama.Ndërkohë, kreu  i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi  se vetë shumëllojshmëria e flamujve  tregon se sa e vështirë ka qenë rruga e Shqipërisë gjatë këtyre 100 viteve."Ne e dimë që flamuri sot është simbol i shtetit të Shqipërisë, por për neve flamuri është më shumë sesa 28 mijë kilometrat e Shqipërisë, është flamur i gjithë shqiptarëve. Sepse gjithë shqiptarët kanë kontribuar që më 28 nëntor të vitit 1912 Ismajl Qemajli ta ngritë këtë flamur në Vlorë, dhe jo vetëm për Shqipëri, por ta ngritë për Shqipërinë e katër vilajeteve që atëherë përbënin rreth 90 mijë km katrorë", ka thënë Krasniqi.Rreth 30 flamuj, stema, dokumente,  por edhe fotografi që përshkruajnë  rrugën nga viti 1912 deri më sot, u  shpalosën të shtunën mbrëma në Muzeun e Kosovës.Në këtë ekspozitë të pranishëm ishin shumë personalitete të njohura, si akademik Rexhep Qosja, por nuk munguan as presidentja kosovare  Atifete Jahjaga, kryeministri i kosovës Hashim Thaçi,  dhe  as lideri i LDK-së, Isa Mustafa.