Kakavijë, sekuetrohet 32 kg kanabis sativa
Një tjetër sasi droge është sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës. Policia e Gjirokastrës tha se rreth orës 00.30, gjatë një kontrolli në autobuzin e linjës Albania -Interlines, drejtuar nga Arben Hysesani nga Memaliaj, është gjetur një sasi prej 32 kilogramë kanabis sativa.Sipas policisë, droga ishte e fshehur në pjesën e shkarkimit të banjës së autobuzit. Në kohën kur është zbuluar lënda narkotike, drejtuesi i autobusit ka hipur menjëherë në autobuz dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të tokës greke me bagazhe hapur duke rrezikur jetën e punonjësve të policisë kufitare që po kryenin kontrollin e mjetit.Më pas, ai ka braktisur autobuzin në tokën neutrale dhe është larguar me shpejtësi në thellësi të kufirit jeshil në tokën greke, ku ende vijon operacioni i përbashkët i policisë kufitare të Kakavijes me homologët grekë për të bërë të mundur kapjen e tij.Ndërkohë një sasi kanabis sativa është sekuestruar sot në portin e Durrësit, dhe në pranga ka përfunduar Dorina Cara. 26-vjeçarja po udhëtonte drejt Italisë dhe e kishte fshehur sasinë prej 44 kg, në makinën e saj.Policia tha se Lënda narkotike ishte ndarë në 54 pako të mbështjella me natriban.