Konstituimi i KQZ-së, debate PD-PS në Kuvend

Seanca e sotme plenare është shoqëruar sot me debate mes kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe kreut të grupit të PD-së, Astrit Patozi lidhur me vonesën për zgjedhjen dhe votimin e KQZ-së së re.Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi ka theksuar se në axhendën e Kuvendit duhet të ishte përfshirë miratimi i kandidatëve për kreun e KQZ-së. “Pse sot në seancën e parlamentit nuk përmbushet një nga detyrat e parlamentit, për të miratuar anëtarët e KQZ”- tha Ruçi.Më pas e ka marre fjalën Patozi duke bërë përgjegjës për vonesën vetëm opozitën dhe PS-në. “Ne e kapërcyem afatin ligjor, kjo është e vërtetë, por përgjegjëse është PS. Fryma e kodit kërkon konsensusin, një javë para se afati të tejkalohej, i kërkuam Rucit që ne duhet t’i paraqesim njëri tjetrit kandidaturat, ai kërkoi kohë. Ruci ka bllokuar procesin dhe e ka cuar atë në kalendat greke dhe sot kërkon që pse nuk konstituohet KQZ”- tha Patozi.Sipas tij, zgjedhjet nuk fitohen as me kodin elektoral dhe as me anëtarët e KQZ. “ Në 2009 tentuat t’ja linit barrën e fajit për humbjen tuaj Kastriot Islamit për kodin, pastaj fajësuat 20 mijë komisionerë duke përfshirë edhe ata të PS. Po ju them nuk fitohen zgjedhjet as me kod e as anëtarë, zgjedhjet fitohen me qytetarët, zhbllokoni KQZ, bëni detyrën si opozitë dhe ne jemi gati ta votojmë që nesër KQZ”- tha ai.Ndërkohë në një reagim jashtë sallës së Kuvendit, deputeti i PS-së Pandeli Majko theksoi se PS-së ka dhënë pëlqimin e saj për dy kandidatet për kreun e KQZ-së pavarësisht rezervave që kishte.  "Ne e kemi mbyllur votimin dhe mund të them se ne kemi depozituar si të vlefshëm dy kandidatuarat Marsida Xhaferllari dhe Lefterie Lleshi që do të thotë që KQZ-ja do të drejtohet sipas opinionit tonë nga një grua.Ne e kemi respektuar procesin. Ne kemi shprehur rezerva për dy kandidatët e tjerë. Kjo është një situatë që nuk pret. Jemi shumë vonë dhe kjo është aryeja se ne e kemi zhbllokuar pavarësisht se kishim rezerva” tha Majko.