Berisha- Chountis: Heqja e imunitetit, e domosdoshme

Kryeministri Berisha ka shprehur domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar për të bërë të mundur që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin EuropianNë një takim me Eurodeputetin Nikolaus Chountis, kryeministri Berisha vlerësoi edhe realizimin me konsensus i reformës zgjedhore, por edhe i një sërë ligjeve të tjera, të cilat kërkonin votim të cilësuar në parlament.Gjithashtu Kryeministri Berisha ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të marrë çdo masë, çdo reformë, për të miratuar të gjitha aktet e nevojshme, që projekti madhor i shqiptarëve për anëtarësimin e vendit në BE të shndërrohet sa më parë në realitet.“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe mbetet përparësi themelore për qeverinë shqiptare, si e ardhmja më e mirë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët e konsiderojnë këtë proces, si projektin më madhor kombëtar, i mbështetur nga pothuajse i gjithë opinioni publik dhe spektri politik” ka theksuar Berisha duke shtuar se për qeverinë shqiptare ky proces është dhe mbetet një proces i bazuar tërësisht në performancë dhe meritë.Nga ana e tij, eurodeputeti Chountis i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në të gjitha përpjekjet që Shqipëria dhe qeveria shqiptare po bëjnë për realizimin e reformave të thella e të gjithanshme, në mënyrë që Shqipëria të marrë sa më shpejtë statusin e vendit kandidat dhe të vijojë me hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian.Berisha gjithashtu e njohu eurodeputetin me progresin e arritur nga Shqipëri, në shumë fusha si; reformat ekonomike, thjeshtësimi i procedurave administrative, lufta kundër korrupsionit, reforma në arsim, në shëndetësi, dixhitalizimi i shumë shërbimeve, si One stop Shop për regjistrimin e biznesit, për licencat e lejet, e-taksa, e-dogana, sistemi on-line i gjurmimit të dokumenteve, shtrirja e internetit, lehtësitë e krijuara në thithjen e investimeve, në fushën e turizmit, etj.