Nishani: Pavarësia e Kosovës realitet i pakthyeshëm

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka deklaruar sot se Kosova ka bërë përparime të mëdha në këto vite të pavarësisë së saj. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, Nishani theksoi se Kosova e lirë dhe e pavarur nuk është vetëm një realitet i pakthyeshëm por një faktor i rëndësishëm i stabilitetetit dhe paqes në rajon.Gjithashtu Nishani e ka cilësuar heqjen e pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën si një hap mjaft të rëndësishëm të Kosovës për konsolidimin e shtetit. “Heqja e pavarësisë së mbikqyrur është një moment historik që hap një rrugë të re për Kosovën dhe qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit dhe institucionet e saj, për zhvillimin e demokracisë. Shqipëria e sheh kontributin e Kosovës si një kontribut të rëndësishëm dhe të patjetërsueshëm në interes të paqes dhe zhvillimit në rajon” tha Nishani.I pyetur se cili është qëndrimi i tij për formati e ri të bisedimeve në dialogun politik me Serbisë dhe Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu qëndrimin se komunikimi është i vetmi mjet për të zgjidhur problemet mes 2 shteteve. Nishani theksoi se mbështet këto angazhime të Kosovës.“Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më fikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme.E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit” tha ai.Gjithashtu Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ajo e Kosovës, Atifete Jahjaga kanë theksuar angazhimin e plotë për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ata kanë vlerësuar se dy vendet kanë përpara sfida të përbashkëta, duke u ndalur në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane.Nishani takime do të ketë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të pasohet nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të presidentit shqiptar si dhe do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.Me tej, Nishani pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht Kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me Zëvendëskryeminstrin dhe Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, me Zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala, me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe me autoritete të tjera vendore në Kosovë, si dhe me Zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviç.Kryetari i Shtetit shqiptar do të zhvillojë homazhe në vendprehjen e Presidentit Rugova dhe në varrin e Adem Jasharit, të cilat do të pasohen nga vizita e Presidentit Nishani në familjet respektive të këtyre figurave të shquara historike të Kosovës. Kreu i Shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën Katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës. Një etapë e veçantë e kësaj vizite do të jetë edhe fjala që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbajë në Universitetin AAB, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovare, intelektualë, pedagogë dhe studentë.