Ksera: Ligj të veçantë për moshën e tretë

Të moshuarit, nëpërmjet një ligji të veçantë, do të përfshihen në një skemë për marrjen e asistencës shtetërore. Ministri i punës Spiro Ksera tha se iniciativa është marrë nga institucioni që ai drejton në kohën kur mosha e tretë në Shqipëri zë 9% të popullsisë.Por për marrjen e një asistence, të moshuarit duhet të përfshihen në një skemë të veçantë dhe në këtë rast referimet dhe identifikimet bëhen nga qeverisja vendore. Ministri Ksera i kërkoi kryebashkiakëve dhe kryekomunarëve hartimin e listave të të moshuarve për njësitë që ata administrojnë.“Edhe popullsia në Shqipëri po shkon drejt plakjes prandaj ne duhet ta konsiderojmë kujdesin për moshën e tretë si një detyrim social dhe shtetëror. Pushteti vendor duhet të identifikojë nevojat dhe të ndërmarrë nisma për shtimin e shërbimeve ndaj të moshuarve. Decentralizimi dhe rritja e rolit të pushtetit vendor është vlerë e reformës që ne kemi ndërmarrë” tha Ksera.Edhe pse krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria ka një popullësi relativisht të re, Ministri Ksera tha se duhet të merren të gjitha masat për të lehtësuar jetesën e të moshuarve në vend ku në këtë rast i referohet edhe përfitimeve nga asistenca shtetërore.