Berisha: Fushata elektorale, suksesi i radhës i mazhorancës

Kryeministri Berisha ka inaguaruar sot rrugën Ura e Mesit-Prekal, në Postribë të Shkodrës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka sulmuar opozitën se po ofron modelin Marksist për shqiptarët ndërsa u shpreh optimist se zgjedhjet e reja do të jenë një sukses i radhës për mazhorancën."Modeli tjetër që kemi përballë është “taksa e Marksit”. Se çfarë i bëri Shqipërisë taksa e Marksit nuk mund ta harrojmë kurrë. Në një kohë kur na thoshin se jemi pa asnjë taksë, punonim si skllevër për shtetin diktatorial me taksa indirekte, 8 muaj të djersës sonë. Ndaj, ju jeni vet të mençur. Po shkojmë drejt një fushate elektorale, drejt një fitoreje të re. Themelore është të mbrojmë vizionin tonë. Me këtë vizion, ne po ndryshojmë Shqipërinë, me këtë vizion ne kemi ndërtuar në këtë vend mbi 10 mijë km rrugë, nga vetëm 2430 km të asfaltuara që ishin në 2005-ën" tha Berisha.Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se rruga Ura e Mesit-Prekal, në Postribë të Shkodrës do të lehtësojë transportin e prodhimeve bujqësore si dhe do të ndikojë dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të kësaj zone.“Rruga që ne inaugurojmë sot lehtëson shumë daljen e prodhimeve tuaja bujqësore, në një nga tregjet më të mëdha të vendit, siç është tregu i Shkodrës. Rruga është një nxitje e madhe për ju që të krijoni sera diellore e të tjera, në mënyrë që të shtoni prodhimin, të nxisni bizneset aty ku ju jeni. Rruga është, para së gjithash dhe mbi të gjitha, një kusht themelor për krijimin e vendeve të punës.” shtoi kryeministri.Nga kjo rrugë përfitojnë edhe banorët e komunave Pult, Shosh, Shale të cilët e përdorin atë për t`u lidhur me qytetin e Shkodrës.Segmenti rrugor Ura e Mesit – Prekal është i gjatë 15.4 km dhe shtrihet përgjatë luginës së lumit Kir. Kjo rrugë fillon në Urën e Mesit dhe përfundon në fshatin Prekal.Rikonstruksioni i saj do të krijojë mundësi aksesi më të shpejtë drejt parkut kombëtar të Thethit, si dhe do të nxisë zhvillimin e turizmit malor të zonës.Rruga e rikonstruktuar është e pajisur gjithashtu me sinjalistikën e duhur vertikale dhe horizontale, mure mbajtëse, mbrojtje metalike në të gjitha pjesët e rrezikshme të saj, veprat e artit.