1-vjetori i vrasjes së Konomit, gjyqtarët: Moszbardhja, jo ogur i mirë

Ndërsa nesër shënon një vit nga vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi,Unioni i Gjyqtarëve shpreh shqetësimin për mos zbardhjen e këtij akti kriminal. Në një deklaratë për shtyp, gjyqtarët thekson se mosbardhja e këtij akti kriminal përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë, në veçanti dhe shoqërinë, në përgjithësi. Gjithashtu Unioni i Gjyqtarëve i ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse të zbulojnë autorët e këtij krimi. “Gjejmë rastin t`i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse për të itensifikuar punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo urdhëruesve të saj. Kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend” thuhet në deklaratën e gjyqtarëve. Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Gjyqtari Skerdilaj Konomi, u ekzekutua në Vlorë me një atentat të tipit mafioz, 9 shtator 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon.