Greqi, Parlamenti miraton me 153 vota paketën e masave

Greqia ka kaluar një natë ferri ndërsa parlamenti i dha dritën jeshile  pas mesnatës masave të shkurtimit.   Kryeministri Antonis  Samaras i shpëtoi edhe kësaj radhë rrëzimit të qeverisë , pasi 153 deputetë nga 300 që ka parlamenti grek dhanë votën e tyre pro masave të kursimit.Duke dalë nga parlamenti pas votimit, kryeministri Antonis Samaras u shpreh i kënaqur për rezultatin e votimit dhe theksoi se miratimi i paketës është një hap i parë i rëndësishëm drejt rimëkëmbjes së vendit."Ky votim ishte një kusht që të gjejmë punë për fëmijët tanë, për të pasur mundësi të gjithë grekët që të shohin ditë më të mira”, shtoi kryeministri, ndërsa shprehu vlerësimin se edhe procesi i votimit të buxhetit për vitin 2013, të dielën, do të shkojë mirë.Peketa u kundërshtua nga gjithë deputetët e opozitës, ndërsa deputetët e të majtës demokratike (DIMAR), që mbështet qeverinë, abstenuan. “Pro” votuan 126 deputetë të Demokracisë së Re dhe 27 të PASOK-ut, “kundër” 128 dhe 18 ishin abstenimet. Ndër ata që abstenuan ishte dhe një deputet i Demokracisë së Re si dhe 3 të PASOK-ut, ndërkohë që dy deputetë socialistë votuan kundër. Të gjithë këta u përjashtuan me njëherë nga grupet parlamentare të partive të tyre.E ndërsa  në Parlament kryhej votimi, policia jashtë në rrugë u detyrua të përdorte gaz lotsjellës kundër protestuesve.   Qëndra e Athinës u kthye  në një  fushbetejë mes dhjetra mijë punonjësve të zemëruar dhe forcave të rendit që ruajnë Parlamentin. 100 mijë punonjës të zemëruar u mblodhën jashtë Parlamentit për të protestuar kundër valës së re të masave të kursimit që po diskutohej nga ligjvënësit përpara votimit përfundimtar.Nuk munguan parullat kundër qeverisë dhe as përplasjet me forcat e rendit të cilat u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.Paketa e re e kursimit parashikon të ulë pensionet dhe pagat në shërbimin publik, të rrisë moshën e daljes në pension në 67 vjeç, largimin nga puna të 25 000 punonjësve të administratës publike deri në fund të vitit 2013 dhe të liberalizojë më tej tregun e punës.