Zhbogar: Për Kosovën dhe Serbinë duhet një model unik

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar ka thënë sot se modeli i dy Gjermanive perceptohet keq nga kosovarët për shkak të bashkimit të këtyre dy shteteve në një të vetëm. Sipas tij, për Kosovën dhe Serbinë duhet të gjendet një model i veçantë.“Ne duhet ta gjejmë një model special, një model unik për Serbinë dhe Kosovën dhe nuk duhet parë modelet e tjera, ndoshta mund të përdoren disa elemente nga modelet e dy Gjermanive, apo ndoshta ndonjë element të modelit Francë-Gjermani, apo të modeleve të tjera, por në fund të fundit duhet të jetë Modeli i Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Zhbogar, pas takimit që kishte me anëtarët e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Zhbogar ka deklaruar se ratifikimi i kësaj marrëveshje medoemos që do të ndodh por ai ka theksuar se mënyra se si do të ndodh një gjë e tillë mbetet të shihet gjatë rrugës. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që ratifikimi të bëhet përmes Këshillit të Evropës apo edhe Parlamentit Evropian.Ndërsa Kryetari i Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, ka theksuar se Kuvendi duhet të jetë më shumë i përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë.Ai ka deklaruar se rekomandimi i Raportit të Fizibilitetit kërkon që Kuvendi të rris rolin e tij monitorues karshi ekzekutivit dhe të sigurohet autonomia buxhetore e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai ka theksuar se vendi tashmë është në një proces tjetër, pas samitit, proces i cili është pozitiv për Kosovën, ndërsa pritet që dhjetori dhe janari të jenë muajt të cilët do ta qartësojnë rrugën evropiane."Në këtë rrafsh secili nga ne duhet të punojë më shumë, në sundimin e ligjit, luftimin e krimeve dhe korrupsionit, si dhe për të drejtat e minoriteteve. Këto janë detyra të mëdha që Kosova duhet t''i realizojë”, tha me këtë rast Haziri.