Krasniqi takon Khalil El Sharkawy: Pritet njohja e pavarësisë Egjipti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ndihmës presidenten e Republikës Arabe të Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy.Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi vizitat që po bëhen ndërmjet dy shteteve - Kosovës dhe Egjiptit - ndërsa në vijim përshëndeti ndryshimet që ndodhën në Egjipt pas revolucionit, duke uruar që sa më shpejt ky shtet mik të kalojë periudhën e tranzicionit.Megjithëse, pavarësia e Kosovës ende nuk është njohur nga Egjipti, ato kanë marrëdhënie shumë të mira, u shpreh kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, duke përkujtuar edhe miqësinë e lashtë ndërmjet popullit egjiptian dhe popullit shqiptar. Pasi vlerësoi se Egjipti është një vend i fuqishëm dhe me ndikim, kryetari i Kuvendit Krasniqi tha se njohja e Kosovës nga ana e Egjiptit do të ndikonte shumë që edhe vendet tjera ta njohin Kosovën, efekti i së cilës do të ishte shkurtimi i rrugës drejt anëtarësimit të Kosovës në OKB, pohoi kryekuvendari Krasniqi. Në këtë frymë ai shfaqi shpresën se Egjipti shpejt do të ketë ambasadorin në Kosovë.Duke  falënderuar për mikpritjen, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy theksoi se edhe kjo vizitë është një reflektim i ri nëpër të cilin po kalon Egjipti. Këto vizita janë shpeshtuar veçanërisht pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Egjiptit.Tani Egjipti po kalon periudhën e formimit të institucioneve dhe ndryshimeve të gjithmbarshme, ndaj në këto rrethana, do të ndihen efektet në raportin e Egjiptit me Rajonin dhe Kosovën.Ajo shfaqi shpresën se pavarësia e Kosovës nga ana e Egjiptit do të njihet së shpejti, sepse në Egjipt po mbretëron një klimë e re edhe në lëmin e krijimit të marrëdhënieve të reja me shtetet e ndryshme të botës, e në këtë kuadër edhe ndaj Kosovës.Znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy e përgëzoi kryekuvendarin Krasniqi për ndryshimet e bëra, si fryt i luftës së popullit të Kosovës.