Beogradi lejon Kosovën në OKB?

Platforma për Kosovë e Qeverisë së re të Serbisë do të dërgojë deri tE “kapitullimi i pakushtëzuar i Serbisë para perëndimit” i cili nënkupton pajtueshmëri të Beogradit që krahina e shkëputur (Kosova) të pranohet në OKB, si shtet i pavarur! Këto janë paralajmërime të botuara në të përditshmen “Ruska gazeta”, e afërt me Kremlinin.Serbia formalisht nuk do ta pranojë pavarësinë, por në rrethet diplomatike ruse, pohojnë që një kapitullim i këtillë do t’i detyronte shumicën e anëtarëve të OKB-së, të cilët, deri më tani, nuk e kanë pranuar Kosovës, ta rishqyrtojnë politikën e tyre në këtë aspekt.Kjo gazetë ka cituar një burim anonim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, i cili ka thënë se diplomatë nga Moska nuk kanë arritur ta bindin Beogradin në këtë që për Serbinë më së mirë është që Kosovën ta lënë si konflikt të ngrirë për një kohë të pacaktuar si dhe të mos nënshtrohen ndaj iniciativave të SHBA-ve dhe BE-së për të hequr dorë nga integriteti i saj shtetëror, në këmbim të “premtimeve të mjegullta për datë të fillimit të bisedimeve për pranim në BE”.Gjithnjë, sipas kësaj gazete, Qeveria në Beograd, për publikun serb, do të përgatisë argumente sikur në këtë rast bëhet fjalë për një zgjidhje e cila është e modelit të dy Gjermanive, i aplikuar gjatë kohës së luftës së ftohtë.