Konflikt në familjen në Kukës, në pranga 40 vjeçari që kërcënoi gruan dhe fëmijët, me automatik në banesë

Një 40 vjeçar është arrestuar nga policia duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale pas dhunës së ushtruar tek bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

40-vjeçari ishte me precedent të mëparshëm kriminal, për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pistë, po ndodhte një konflikt në familjen e shtetasit B. F., menjëherë organizuan punën dhe në kuadër të operacionit policor të koduar "No more", falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, arrestuan në flagrancë shtetasin B. F., 40 vjeç, banues në fshatin Pistë.

"Ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri," njoftoi policia.

Gjatë kontrollit në banesën në pronësi të shtetasit B. F., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 1 karikator me fishekë, 9 kapsolla detonatore dhe 3 metër fitil zjarrpërcjellës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.