Rama flet për objektiva dhe revolucione dixhitale: Arritëm 500 mln dollarë eksporte bujqësore! 984 laboratorë "smart"
Objektivi i Qeverisë për gjysmë miliard eksporte bujqësore është arritur gjatë vitit 2022.
Këtë e bën me dije vetë kreu i qeverisë Edi Rama, i cili vijon diskutimin maratonë me ministrat për performancën 12 mujore të vitit të shkuar.
Përmes rrjeteve sociale dhe larg gazetarëve Rama thotë se analiza e 2022-it i bën më optimistë për vitin 2023 që të reflektojë mbi çdo sektor.
“Vazhdojmë edhe sot diskutimin maratonë të fillimvitit, ku analiza e detajuar e 12 muajve të shkuar na bën shumë optimistë për 2023-shin, po na jep edhe mundësinë e një reflektimi shumë të dobishëm mbi çdo sektor”, shkruan Rama.
Ndërsa në një postim tjetër Rama shkruan se 984 laboratorë ‘smart’ do të ndërtohen brenda vitit 2024. Ky është objektivi i qeverisë për atë që e quan revolucioni dixhital. Rama shkruan se brenda janarit do të startojë programi i kodifikimit për 1200 të rinj.
Në fotografitë e publikuara tregon se në fokus mbeten projekte si Korridori Blu, Parku Fotovoltaik Karavasta, HEC Skavica, Tuneli i Llogarasë, Hekurudha Tiranë-Durrës, Aeroporti i Sarandës, Aeroporti i Vlorës dhe fluksi i turistëve.
Një ditë më parë, kreu i qeverisë diskutoi me ministrat për bilancin vjetor dhe detyrat që priten të kenë për 2023.

