“KLSH, larg standardeve”/ Raporti: Të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të rrisë efektivitetin e punës

Problematika e ngritur nga Ora News për mosefiktivitet të punës së KLSH, është evidentuar edhe në Raportin Kombëtar për Integrimin Europian. Në të theksohet gjithashtu se cilësia e aktiviteteve të auditimit ende nuk është në përputhje me standardet e BE-së.

Raporti Kombëtar për Integrimin Europian 2023-2025, ka vërejtur disa mangësi në punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Raporti thekson se funksioni i auditimit të brendshëm ende nuk lëshon opinione auditimi për efikasitetin e kontrollit në institucionet publike. Cilësia e aktiviteteve të auditimit është ende pjesërisht në përputhje me standardet e BE-së dhe kërkesave ligjore.

Gjithashtu raporti specifikon edhe problemin e ngritur nga Ora News për mosefiktivitetin e rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit të lëna në institucionet që auditon. Për këtë, në raport thuhet se monitorimi për zbatimin e tyre në kohë duhet të përmirësohet.

Për institucionin që drejtohet nga Arben Shehu, kërkohet që cilësia e punës së auditimit të përmirësohet më tej për të përmbushur plotësisht standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Më tej në raport kërkohet që të rritet kontakti me institucionet e audituara dhe konsultimet me të gjitha palët e interesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi është që të përcillet mesazhi i qartë dhe thelbësor të auditimit për parandalimin e keqpërdorimit të fondeve publike, si dhe për t’ju ardhur në ndihmë institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.

Për shqyrtimin e raporteve të KLSH-së, që do të shërbejë në përmbushjen e këtyre objektivave, në raport kërkohet ngritja e një nënkomisioni parlamentar, që do të jetë pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.