"Dvorani jo “kampion”, por “xhelat”", Berisha: E papranueshme si anëtar në Kushtetuese

Sali Berisha e ka cilësuar si të papranueshëm kandidaturën e  Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pak orë para fillimit të seances në Kuvend për votimin e tij, kreu i Partisë Demokratike  cilësoi si antikushtetues edhe nisjen e punimeve për ndërtimin e godinës së re të teatrit.

Vetëm pak orë para se të nisë seanca parlamentare ku Ardian Dvorani votohet si anëtar i gjykatës kushtetuese, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka cilësur si të papranueshëm.

 “Dvorani shpallet kampion botëror i luftës kundër korrupsionit, nuk ka fyerje më të rëndë për shqiptarët se kjo. Nuk mund të shpallet ky kampion, ky është një xhelat. Ç’e ka Yuri Kim këtë patologji për xhelatët e diktaturës komunistët edhe për këtë do të informojnë qeverinë amerikane. Me ligj nuk mund të ishte anëtar gjykate. Ai u emërua në kundërshtim me ligjin e lustracionit, përse duhet të na e bëjnë simbol këtë njeri? Çfarë jemi ne? A nuk është ky një përçmim i madh për shqiptarët,” tha Berisha.

Një akt tjetër antikushtetues sipas kryedemokratit është edhe nisja e punimeve për ndërtimin e godinës së re të teatrit. Berisha gjithashtu paralajmëroi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj se me këtë akt dhe me prishjen e pallatit në rrugën “Myslym Keta” do të ketë përplasje të forta me qytetarët.

 “Paralajmëroj Veliajn se me këtë akt ai po nxit me të gjithë forcën përplasjen me qytetarët. Ai është një kukull e Ramës, por do e paguajë vetë këtë akt. Paralajmëroj ndërtuesin, në emër të PD i them mos u bëj mashë e vendimeve anti kushtetuese të qeverisë dhe Veliajt. Populli opozitar nuk do ta pranojë kurrë atë projekt. PD do të bëjë gjithçka për zbatimin e vendimit të Kushtetueses,” tha ai.

Gjatë konferencës së tij të përjavshme me gazetarët, Berisha nuk i kurseu as akuzat ndaj kryeministrit Rama duke e cilësuar anti-shqiptar.

Sipas Berishës, Rama ka prishur përmendoren e vendosur në Kukës në nder të viktimave të genocidit serb në Kosovë, me kërkesë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

 “Ky prish përmendoren me kërkesë të Vuçiçit, akt i turpshëm dhe anti-shqiptar. Ka shkelmuar, përse u vranë ata? Ata bllokuan hordhitë serbe që donin të pushtonin Shqipërinë,” tha ai.

Ndërkohë opozita gjithashtu ka bërë një kërkesë në Kuvend për ngritjen e një komisioni hetimor sa i takon udhëtimeve me charter të kryeministrit Edi Rama, dhe i bënë thirrje kuvendit të heqë dorë nga pengesa për ngritjen e komisionit.