Pensione e tekste shqip për emigrantët, Xhaçka: Grup pune me Greqinë!
Shqipëria ka nisur negociatat me Greqinë, për njohjen e vjetërsisë së punës, për efekt pensioni, për emigrantët shqiptarë atje. Pas takimit me homologun grek Nikos Dendias, Olta Xhaçka tha se është diskutuar edhe për të mundësuar tekste shqip për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Pas Italisë edhe Greqia është duke e diskutuar marrëveshjen për njohjen e pensioneve për emigrantët shqiptar. Deklarata është bërë në takimin mes ministrave të jashtëm Olta Xhaçka e Nikos Dendias, ku u theksua se pakti do të shërbejë në të dy anët e kufirit.
Xhaçka: “Është kërkesa jonë për fillimin e takimeve në nivel ekspertësh, për negocimin dhe nënshkrimin potencialisht të një marrëveshjeje për mbrojtjen sociale apo pensioneve, nga i cili do të përfitojnë edhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi”
Një tjetër zhvillim është edhe në arsimim, ku ministrat pranuan që edhe në Greqi të mësohet gjuha shqipe.
Xhaçka: “Kërkesën tonë, për ta avancuar me mësimin e gjuhës shqipe nga komuniteti shqiptarë në Greqi”
Dendias: “Gjithashtu ne diskutuam për rolin që luan minoriteti kombëtar grek këtu në Shqipëri, por edhe për rolin që komuniteti shqiptar luan në Greqi. Këto janë ura mes dy popujve tanë”
Janë më shumë se 800 mijë shqiptarë që kanë emigruar pas vitit 1991 në Greqi, ku jetojnë e punojnë, ndaj dhe lejimi i mësimit në gjuhën amtare të fëmijëve, konsiderohet e rëndësishme.


