Dendias sot në Kosovë, Mitsotakis rikthehet në Shqipëri të enjten

Kryeministri grek do rikthehet në Shqipëri më 22 dhjetor. Burimet për Ora News bëjnë me dije se Kiriakos Mitsotakis do të vizitojë zonën e Himarës, Dropullit dhe Finiqit.
Vizita ishte parashikuar që të mbahej më 6 dhjetor në kuadër të samitit të Bashkimit Europian Ballkani Perëndimor.
Pritet që gjatë kësaj vizite ta shoqërojë vetë kryeministri Edi Rama por ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht.
Kryeministri grek pritet të jetë në Himarë në orën 9:30 të mëngjesit përballë zyrave të Omonias. Më pas do të vizitojë një shkollë, kishën e fshati dhe takime me qytetarët e minoritetit greke në këto zona.
Ndërkohë sot në Kosovë ndodhet Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias. Ai do të takohet me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla.
Siç ka njoftuar MPJ-ja greke, ndër temat kryesore që do t’i diskutojnë Dendias dhe Gërvalla është dialogu Kosovë-Serbi.
“Deklaratat e përbashkëta për shtypin janë planifikuar të bëhen pas përfundimit të bisedimeve të zgjeruara, rreth orës 11:30 me orën greke. Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shtrojë një darkë për nder të ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftim e kësaj ministrie.