Shembja e pallatit, Tabaku: Bashkia ka manipuluar letrat dhe njerëzit

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me shembjen e pallatit në rrugën “Myslym Keta”, për të cilën Bashkia e Tiranës thotë se godinat janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Teksa ka publikuar pamjet nga shembjet e sotme, Tabaku shprehet që banorët kanë të drejtën e tyre dhe fajëson institucionin që drejtohet nga Erion Veliaj që ka urdhëruar shembjen e pallatit, pasi manipuloi dokumentet dhe banorët.

“Banorët e rrugës Myslym Keta, njësia 4, më thërritën muaj më parë dhe më shpjeguan se si bashkia dhe deputeti zonës së tyre nga mazhoranca kishin gënjyer për projektin e lagjes në fjalë.

Banorët u gënjyen nga pushteti qendror dhe vendor. Aq sa sot gjenden mes 4 rrugëve dhe presionit të vazhdueshëm nga institucionet qeveritare për t’u tërhequr nga e drejta e pronës.

Banorët kërkojnë të drejtën e tyre të gëzojnë pronën që po ua merr bashkia për të mos ua rikthyer. Për këtë të drejtë iu drejtuan gjykatës.

Sot, është seanca e parë e gjyqit mes tyre dhe institucioneve shtetërore.

Po sot, bashkia urdhëron shembjen pasi ka manipuluar letrat dhe banorët”, deklaron Jorida Tabaku përmes rrjeteve sociale.