Helikopteri shqiptar “ngec” në Itali, Peleshi: Shkak, procesi i ndërprerjes së kontratës

Një prej helikopterëve shqiptarë ka mbetur në Itali dhe qeveria shqiptare nuk po mundet ta kthejë. Shkak është bërë konflikti për kontratën e shërbimit, që pritet të përfundojë edhe në gjykatë. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Niko Peleshi theksoi se do të merren 30 milion euro kredi nga Italia për të blerë zjarrëfikëse dhe dy mjete ajrore për shuarjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka pranuar një tjetër skandal sa i përket Forcave Ajrore në Shqipëri.

Një prej helikopterëve i nisur drejt Italisë për kontroll dhe mirëmbajtje ka mbetur një magazinë në Itali.

Shkak është bërë mosmarrëveshja me kompaninë, me të cilën është firmosur kontrata e shërbimit.

"Ajo kontratë nuk performoi dhe ne jemi në një proces të ndërprerjes së kontratës me palën italiane. Kemi filluar me Agjencinë e NATO-s së prokurimeve, kemi rënë dakord dhe tashmë kemi filluar bashkëpunimin. Sapo helikopteri të çlirohet në Itali do të dërgohet menjëherë pranë Agjencisë së Mbrojtjes së Prokurimeve të NATO-s  për tu kryer shërbimet nga rrjeti i tyre."

Deklaratën Ministri e ka dhënë menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua kredia prej 30 milionë eurosh me Italinë, e cila do të përdoret për emergjencat civile dhe për shuarjen e zjarreve.

"Parashikohet blerja e automjeteve zjarrfikëse dhe automjeteve të tjera të nevojshme. Gjithashtu pjesë e kësaj kredie është prashikuar të jetë dhe blerja e dy mjeteve ajrore specifike për luftën mundër zjarreve."

3 vite pas tërmetit ku në Shqipëri humbën jetën 51 persona, Shqipëria do të nisë edhe trajnimet e kërkim-shpëtimit.

Ndërsa edhe një herë është theksuar se kosto e mirëmbajtjes së helikopterëve në Shqipëri është tejet e lartë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.