Peleshi "bindet": Do blejmë helikopterë për zjarret
Shqipëria nuk ka asnjë avion që të përdoret kundër zjarreve dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi në korrik në Komisionin e Sigurisë se qeveria ku ai bën pjesë se një investim i tillë është i panevojshëm, pasi një mjet i tillë fluturues kushton 50 mln euro.
Por 2 muaj më pas Peleshi do të fliste ndryshe ndërsa paralajmëroi se Shqipëria do të krijojë një flotë të plotë të helikopterëve.
Dhe ditën e sotme Ministri Peleshi në përfundim të mbledhjes së Qeverisë lajmëroi se është miratuar marrëveshja për blerjen e dy helikopterëve që do të përdoren për rastet e zjarreve në vend.
Peleshi tha se sot u miratua edhe një marrëveshje ndërmjet Republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile.
“Sot u miratua një projekt vendim, një marrëveshje ndërmjet republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile. Për pak javë gjatë vitit të ardhshëm do të ratifikohet në parlament”, tha më tej Peleshi.
Ai tha se Italia është angazhuar të mbështesë sistemin e mbrojtjes civile me një financim në formë huaje prej 30 milionë euro.
“Pas tërmetit të 29 nëntorit, kur është zhvilluar dhe konferenca e donatorëve, Italia është angazhuar ndër të tjera edhe për të mbështetur sistemin e mbrojtjes me një financim në formë huaje prej 30 milionë eurosh. Kjo marrëveshje është miratuar sot në Këshillin e Ministrave dhe për pak javë gjatë muajve të ardhshëm do të ratifikohet në parlament dhe do të bëhet aktive. Kredia parashikon mbështetjen e sistemit të mbrojtjes civile që nuk i përket një institucioni. Drejtohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nën Ministrinë e Mbrojtjes por është i shtrirë në të gjithë territorin dhe të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli lokal, bashkitë, prefekturat. Pothuajse i gjithë sistemi preket pozitivisht pra merr financim nga kjo kredi 30 milionë euro”, tha ai.
Peleshi sqaroi se, së pari, do të ndërtohet një qendër e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile e mirëpajisur me teknologji të standardeve të BE-së.
“Paralel më të në të gjitha prefekturat dhe në katër qendrat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në territor do të ndërtohen sallat operacionale të pajisura dhe të lidhura me njëra-tjetrën me rrjet duke qenë ndërvepruese. Pranë qendrave të mbrojtjes civile do të ndërtohen edhe struktura operacionale të kërkim-shpëtimit shoqëruar edhe me pajisje por dhe trajnim. Pra do ketë edhe shtrirje territoriale në 4 qendra nëpër Shqipëri por dhe të gjitha pajisjet në rastet e fatkeqësive natyrore. Për të gjitha bashkitë, strukturat zjarrfikëse në rang kombëtar parashikohet blerja e automjeteve zjarrfikës dhe automjeteve të tjera si dhe gjithë logjistika për përmbytjet dhe kërkim-shpëtimin në përgjithësi”, tha Peleshi.
Peleshi shtoi se si pjesë e kësaj kredie është parashikuar dhe blerja e dy mjeteve ajrore specifike për luftën kundër zjarreve.
“Gjithashtu do të ngrihet një kamp trajnimi për zjarrfikësit dhe të gjitha strukturat operacionale që duhet të trajnohen duke përfshirë dhe vullnetarë, Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura. Kjo qendër trajnimi do jetë e pajisur edhe me laboratorë simulimi, pra le të themi me këtë financim e ngremë në një nivel të lartë gjithë sistemin e mbrojtjes civile. Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt në parlament. Tashmë është bërë traditë që për marrëveshjet ndërkombëtare votohet në unison dhe nuk ka dyshime së së shpejti kjo marrëveshje do miratohet dhe aktivizohet menjëherë”, tha Peleshi.
