Një yll mirënjohje publike për yllin e kirurgjisë shqiptare, Elezi-Ramës: Të më kishe lajmëruar se mos pësoj shok
Mes shumë mirënjohjeve në takimin e fundvitit të kryeministrit Rama me bluzat e bardha kishte dhe një yll për yllin e kirurgjisë shqiptare, profesorin, akademikun, kirurgun Besim Elezi.
Rama tha se Elezi i ka ndërtuar vetes një piedestal të palëvizshëm në historinë e mjekësisë shqiptare.
Rama: Është momenti për të respektuar dikë që është shumë e vështirë të thuash me fjalë sesa shumë meriton falenderime, mirënjohje, respekt për një jetë të tërë të përkushtuar ndaj profesionit të mjekut, ndaj njerëzve, studentëve, me një empati dhe një përkujdesje të jashtëzakonshme. Dua ti them profesor Besim Elezit se kjo mirënjohje është më e pakta që ne mund të bëjmë për ju dhe tua ti falenderoj të gjithë të pranishmit që në një mënyrë apo tjetër e njohin kontributin tuaj.
Me praninë e tyre, të gjithë gjeneratave, janë sfondi më i bukur i këtij momenti kremtimi të karrierës së jashtëzakonshme të një mjeku i cili me kontributin e tij dhe mënyrën e tij të qënit në shoqëri dhe komunitetin e mjekëve i ka ndërtuar vetes një piedestal të palëvizshëm në historinë e mjekësisë shqiptare. Me emocion të veçantë dhe kënaqësi të jashtëzakonshme kam privilegjin të nderoj me kordonin e madh dhe yllin e mirënjohjes publike yllin e kirurgjisë shqiptare, profesor Besim Elezin.
Elezi mes emocioneve dhe modestisë që e karakterizon tha se vepra e tij individuale është një thërrmijë në këtë univers.
Elezi: Nuk mund ta imagjinoni emocionin, do t'ju lutesha të më lajmëronit që mos pësoj ndonjë shok për këtë nder të madh që më bëhet sot. Vepra ime individuale është një thërrmijë në këtë univers. Është nder për mua, mësuesit e mi,nxënësit e mi shumë prej të cilëve janë këtu në sallë. Për një prind dhe të moshuar nuk ka gëzim më të madh se të shohë ëndrrat e tij të realizuara.

