Rama vlerëson mjekët e infermierët: Ata që thonë se i shikoni pacientët nga xhepi s'kanë pasur kurrë nevojë për ju

Në prag të festave të fundvitit, kyeministri Rama mblodhi mbrëmjen e sotme mjekë dhe infermierë nga gjithë vendi për të shprehur mirënjohjen që kaluan me sukses një tjetër vit jo të lehtë dhe që po e rrisin çdo vit cilësinë e shërbimit publik shëndetësor.

Rama edhe njëherë doli në mbrojtje të bluzave të bardhave për paragjykimet ndaj tyre se i shikojnë pacientët nga xhepi.

Rama: Hija e një paragjykimi të shëmtuar sipas të cilit mjekët dhe infermierët në këtë vend të shikojnë nga xhepi para se të të kapin me dorë. Kjo është shprehja vulgare dhe brutale në këtë vend dhe përdoret kryesisht nga ata të cilët për fat të mirë dhe mos paçin kurrë nevojë, por nuk kanë pasur nevojë për ju por kanë një kënaqësi që është një kënaqësi që përgjithësisht ne shqiptarët e ndajmë lehtësisht me njëri-tjetrin, e të marrurit nëpër gojë për keq të njerëzve dhe sidomos të atyre që vihen përballë dritave të skenës për arsye nga më të ndryshmet.

Patjetër nuk mungojnë dhe ato raste kur edhe mes bluzave të bardhave gjenden individë të padenjë por këto nuk janë rregulli, këto janë përjashtime që përforcojnë rregullin që është që në sistemin tonë shëndetësor në radhë të parë i gjithë volumi i misioneve të jetëshpëtimit apo kurimi dhe shërimit të sëmundjeve është meritë e mjekëve, infermierëve dhe gjithë trupës që u vihet në dispozion 24 orë pa pushim gjithë njerëzve që kanë nevojë për këtë mbështetje.

Shefi i qeverisë theksoi se qeveria ka qenë prandë sistemit shëndetësor me investime por edhe me mbështetje financiare për pagat.

Ai i garantoi se brenda mandatit premtimi për rritjen 100% të pagave për bluzat e bardha nga aty ku e nisën do jetë një realitet.

Rama: Jemi përpjekur që këtë respekt dhe solidaritet ta shprehuirm duke rritur cilësinë e kushteve në të cilat punoni. Sot janë shumë më të mira se më parë, e aparatura dhe mjete gjithmonë e më cilësore dhe nga ana tjetër për të rritur dhe shpërblimin tuaj.

Pavarësisht se pagat janë rritur rreth 70% në raport me pikënisjen nuk mjafton dhe duhet të bëjmë përsëri rritje që pagat ti kemi rritur 100% nga pikënisja brenda këtij mandati. Të jeni të sigurt se do ta bëjmë sepse meritoni më shumë se kaq dhe më pak se kaq nuk e meritoni.

Rama u ndal edhe te emigrimi masiv i bluzave të bardha që sipas tij nuk kanë prekur funksionimin e spitaleve tona.

Rama: Pavarësisht prirjes për tu larghuar kemi pasur mundësinë të punësojmë 5 mijë infermierë dhe infermiere, 99% janë infermiere dhe burrat janë si hudhra që garantojnë që gratë infermiere të mos merren mësysh nga shumë sy të këqinj që i sulmojnë në të përditshmen e tyre. Mbi 900 të punësuar të rinj në këtë sistem janë vetëm këtë vit.

Po ashtu janë 1320 mjekët e punësuar në këtë periudhë, 335 vetëm gjatë këtij viti. Janë hapur dhe më shumë kuota për mjekë dhe infermierë në këtë vit akademik, pasi i kemi kapacitetet akademike dhe nevoja është shumë e madhe. 100 mjekë të rinj specialistë janë atashuar në spitalet tona rajonale.

Në fund të aktivitetit, Rama ndau disa mirënjohje për shërbimet më të spikatura shëndetësore nga spitalet e të gjithë vendit.