Banorët e Obotit me varkë për në shtëpi, qeveria refuzon shpalljen e emergjencës
Situata e reshjeve është bërë shqetësuese në Shkodër. Më shumë se 3000 hektarë tokë ndodhen nën ujë atje, ndërsa 115 shtëpi janë të rrethuara nga uji, ku në dhjetëra prej tyre ka edhe prezencë uji brenda.Pavarësisht situatës së rëndë, ku në fshatin Obot mund të hyhet vetëm me varka, qeveria refuzon shpalljen e emergjencës.
Reshjet kanë pushuar por harta e përmbytjes është zgjeruar.
3020 hektarë ndodhën nën ujë gjatë të shtunës (17 dhjetor) në bashkinë Shkodër dhe 155 shtëpi të rrethuara.
Më e vështirë gjendja paraqitet në fshatin Obot të Anës së Malit, ku rritja e nivelit të ujit ka rikthyer në përdorim varkat.
Grupi i xhirimit të Ora News u nis me një prej varkave të ushtrisë për në brëndësi të fshatit por rrugës mjeti pësoi defekt në motor.
Për minuta të tëra qëndruan në ujërat e lumit Buna dhe tentativa për ta ndezur mjetin dështoi.
Ushtarët futën në përdorim rremat dhe u desh ardhja e një varke tjetër për ti rikthyer në vendin e nisjes.
Megjithëse një situatë e rëndë dhe me shumë dëme, prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni duke folur si përfaqësuese e qeverisë, e rrëzoi kërkesën e kryetarit të bashkisë Bardh Spahia për shpallje të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Majlinda Angoni: Nuk është situata e shpalljes së emergjencës.
Një prej banorëve tregon gjendjen e vështirë në brendësi të fshatit, ku ka patur edhe mungesë të energjisë.
"Në shkallë të parë ka ardhur uji, te unë që jam në mes të fshatit. Në shtëpitë e tjera që janë më të ulëta sot kishte hyrë brenda uji."
Deputetja demokrate, Greta Bardeli, kërkon marrje të përgjegjësive nga qeveria dhe dëmshpërblim të banorëve.
Greta Bardeli: Reshjet e mbrëmshme sollën pasoja të rënda dhe shkaktuan shumë dëme. Por jo vetëm reshjet, është keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit dhe shkarkimet që bëhen nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Situata është përkeqësuar edhe në Lezhë ku, 750 hektarë tokë janë nën ujë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

