Ofroi rryshfet 100 euro e tentoi të kalonte kufirin me dokumente të falsifikuara, arrestohet 42-vjeçari në Rinas

Një 42 vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Kufitare, që të kalonte kufirin, me mjet identifikimi të falsifikuar. 

“U arrestua në flagrancë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike", shtetasi: F. Z., 42 vjeç, banues në Tiranë.”, njofton policia.

Ky shtetas i ka paraqitur fillimisht punonjësve të Policisë, një dokument identifikimi të falsifikuar, dhe më pas iu ka ofruar atyre 100 euro, që ta lejonin të kalonte kufirin, në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kontrollit të detajuar rezultoi se dokumenti që kishte paraqitur ky shtetas ishte me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumenti i falsifikuar dhe 2 kartëmonedha të prerjes 50 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.