Krimi horror për borxhin/ Dëshmia e bashkëpunëtorit: Marjeta i tha Besmirit: Hiqeni qafe! Menduja më dilte në ëndërr çdo natë!
Ora News zbardh dëshminë e shtetasit Gazmir Ngota në polici, një nga tre të akuzuarit për vrasjen horror të Menduh Kurt-Deda në maj të vitit 2017 për një borxh të pa shlyer prej 10 mijë eurosh.
Në dëshminë e tij të gjatë ai tregon sesi në shkurt të 2017 u kthye nga Italia ku punonte si emigrant, dhe si e njohu Besmir Karajn, i akuzuari kryesor për vrasjen, përmes rrethit të tij shoqëror.
Po kështu përmes tij ishte njohur dhe me të ëmën e Besmirit, Marjeta Karajn, nga i cili kishte mësuar që ajo drejtonte një Fondacion.
“Unë jam kthyer nga Italia në Shqipëri në muajin shkurt 2017. Në Itali kam bërë punë të ndryshme krahu dhe pas u ktheva në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve shoqërore, çunat që rrija në lagjen "Allias", Tiranë, jam njohur me shtetasin Besmir Karaj. Duke qenë se unë sapo kisha ardhur nga Italia dhe aso kohe kisha para, Besmiri me është afruar dhe kemi krijuar njohje dhe shoqëri me njëri-tjetrin. Nga Besmiri kam mësuar se nëna e tij drejtonte një fondacion, ndërsa vetë Besmiri punonte si shofer për shpërndarjen e produkteve te ndryshme ushqimore. Në tre apo katër raste edhe unë kam udhëtuar se bashku me Besmirin dhe Marjetën në Durrës, Fushë Krujë etj".
Dy muaj pas kthimit të tij, ai tregon se dolën sëbashku me Besmirin dhe pinë deri në orët e para të mëngjesit dhe më pas bënë një xhiro me makinë ku edhe hasën viktimën, Menduh Kurt-Dedaj.
Ai tregon në detaje sesi e morën në makinë në gjendje të dehur dhe mësoi se ai u kishte borxh familjes Karaj.
Më pas u bashkohet dhe Marjeta, e cila i jep urdhër të birit, hiqeni qafe!
"Rreth dy muaj pasi isha kthyer në Shqipëri, ku muaji dhe data e saktë nuk me kujtohet unë kam qenë tek magazina e Besmirit, që ndodhej mbrapa konviktit nr 1 të Shkollës se Bashkuar Tiranë dhe ndërsa po qëndronim, kemi pirë verë të hapur. Rreth orës, 01:00 të mëngjesit mua më mbaruan cigaret dhe shkova për të blerë një paketë cigare tek një kioskë, tek kryqëzimi i Varrit të Bamit, që qëndron hapur 24 orë.
Ndërsa po kthehesha, disa metra pa mbërritur tek magazina, Besmiri është afruar me mjetin tip Ford Fokus dhe me tha hajde hip, të bëjmë një xhiro. Ndërsa po qarkullonin nëpër rrugica, afër një tregu fruta perimesh në Xhamllik, Besmiri pa një person të seksit mashkull duke ecuar në këmbë dhe menjëherë ndaloi makinën, pasi tha se e njihte. Për mua ishte hera e parë që e shikoja këtë person, por kujtoj që Besmiri i thirri në emër, “Mendu” dhe pasi i futi krahun e mori në makinë.
Kujtoj që personi në fjalë ishte i madh në moshë, mbi 65 vjeç dhe mbaj mend që kishte konsumuar alkool. Gjatë rrugës në automjet Besmiri filloi që ti bënte Mendus presion, duke i thënë kam kaq kohë që të kërkoj, shiko çfarë kam për të bërë dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Më pas, Besmiri mori në telefon nënën e tij Marjetën dhe i tha kam gjet Mendun, e kam me vete në makinë dhe hajde që të flasësh vetë me të.
Kemi vazhduar rrugën me makinë dhe pasi mbërritem te një karburant në Allias, makinën Ford Fukus e futëm në parking, pas pishinave të një kompleksi.Besmiri zbriti nga makina Mendun dhe menjëherë nisi ta qëllonte me shpulla, duke e sharë dhe ofenduar, ndërkohe që ky i fundit nuk reagonte pothuajse fare, vetëm qeshte, pasi si duket ishte në gjendje të dehur.
Pas pak çastesh aty ka ardhur Marjeta, e cila e acaruar i bërtiste Mendus, duke i thënë prej teje me vdiq vëllai, duhet të më kthesh menjëherë lekët, nga ku unë kuptova që Mendui, i kishte lekë borxh Marjetës. Menduja i thoshte nuk kam asnjë lek borxh dhe vetëm qeshte dhe kjo sjellje e tij ka acaruar Marjetën dhe Besmirin, i cili filloi që ta qëllojë Mendun me grushte e shkelma, ku si pasojë ky i fundit është rrezuar në tokë dhe nuk po ngrihej më, pasi ishte moshë e thyer.
Besmiri dhe Marjeta u larguan disa metra më tutje, dhe për disa çaste biseduan vetëm për vetëm me njëri-tjetrin. Pasi unë jam afruar pranë tyre, Besmiri më tha shprehimisht “Sa burg rrezikojmë o Gaz?” Unë i thashë, nuk e di, shumë kemi për të rrezikuar nëse i ndodh diçka e keqe. Në vijim Besmiri pyeti Marjetën “çfarë të bëjmë” dhe ajo i tha shprehimisht “hiqeni qafe”, sepse nuk i bie njeriu mendja për këtë” ka treguar ai.
Më pas Marjeta largohet dhe kryhet ekzekutimi në Dajt.
"Pas këtij momenti Marjeta u largua në këmbë në drejtim të banesës së saj, ndërsa Besmiri dhe unë e ngritëm për krahësh Mendun dhe e futëm atë në sediljen e pasme të mjetit tip Ford Focus me ngjyrë jeshile, targat e të cilit nuk i mbaj mend.
Pasi vazhduam lëvizjen, Besmiri më tha do ta çojmë mbrapa Dajtit qenin, ndërsa unë s’është se bëra ndonjë reagim, pasi mendova se Besmiri thjesht po i bënte presion Mendus. Ky i fundit, megjithëse ishte koshient, nuk bënte asnje reagim.
Në vendin e quajtur "Kafja e Rremës, Besmiri ndaloi mjetin me tha “zbrit merr benzinë” te një karburant aty dhe më dha në dore dy bidona të vegjël që mbante në makinë.
Besmiri më dha lekët që bleva benzinë, dhe vazhduam rrugën në drejtim të Shkallës së Tujanit, deri sa arritëm në Kodër Shupal. Ishte shumë errësirë dhe gjatë rrugës nuk jemi shkëmbyer me asnjë automjet apo person tjetër.
Në vendin quajtur Kodër Shupal, Besmiri ndaloi makinën. Bashke zbritëm nga makina Mendun, duke e mbajtur për krahu dhe e mbështetëm Mendun në trungun e një peme që ndodhej disa metra me poshtë në anë të rrugës.
Besmiri e lidhi Mendun në trungun e një peme me zhinxhirët që mbante në makinë, me qëllim që ai të mos lëvizte dhe e spërkati me benzinë nga koka tek këmbët, ndërkohë që Menduja në atë moment vetëm rënkonte. Besmiri nxori nga xhepi një mjet ndezës çakmak dhe i vuri flakën Mendus, i cili menjëherë u përpi nga zjarri.
Unë jam shokuar, pasi nuk e prisja një veprim të tillë dhe menjëherë kam shkuar tek makina dhe bashkë me Besmirin që ishte në drejtim të tij, jemi kthyer për në Tiranë. Gjatë rrugës unë jam bërë keq, dhe i kam thënë disa herë Besmirit çfarë bëre kështu, unë jam familjar, do më lësh fëmijët rrugës dhe ai më ka thënë mos u bë merak se do e mbaj unë përsipër, fajin që kam bërë.
Atë natë Besmiri me la në Allias dhe më tha që të shkoja në shtëpi, ndërsa ai vete do të lante makinën në lavazh.
Pasi jam futur në shtëpi, unë e kam përjetur shumë keq këtë ngjarje, por gjithësesi nuk jam shprehur te persona të tjerë".
Ai ka treguar më pas sesi ndikoi kjo ngjarje në jetën e tij, pendesa, makthet, shkëputja e komumit me Besmirin dhe Marjetën dhe deri te arrestimi së fundmi nga policia, këtë dhjetor të 2022.
"Të nesërmen, unë si kam besuar vetes që kam kryer një veprim të tillë dhe që nga ai moment ka filluar që të pi gjithnjë e më shumë alkool, për ta kaluar këtë ngjarje. Dy apo tre ditë pas ngjarjes unë e kam takuar Besmirin dhe nga bisedat tona kam kuptuar se dhe ai e kishte përjetuar shumë keq.
Kujtoj se pasi kufoma është gjetur në Kodër Shupal, dhe lajmi ka dalë në media, Besmiri e ka përjetuar dhe më thoshte që Menduja me del në ëndërr çdo natë. Të njëjtin përjetim kam patur dhe unë. Me pas, unë jam mbyllur në vetëvete dhe kam shkëputur çdo lloj komunikimi si me Besmirin ashtu edhe me Marjetën.
Sqaroj se unë e kam menduar disa herë që të dorëzohem në polici dhe të shpjegoj faktin që ka ndodhur, kam qenë në dilemë që të dorëzohem ose jo, duke menduar që kam dy fëmijë të mitur për të rritur.
Kjo është dhe arsyeja që në datë 24.10.2022, pasi më ka thirrur policia unë jam larguar nga vendi i punës ku punoja si shpërndarës picash dhe nga banesa, pasi shoku im më tregoi se e kishin pyetur në polici në lidhje me këtë ngjarje" përfundon dëshmia.
Gjykata e Tiranës la sot në burg pa afat Marjeta Karaj si dhe Gazmir Ngotën, ndërsa vijon të jetë në kërkim Besmir Karaj.
Burime bëjnë me dije së Besmiri ka hyrë në territorin shqiptar në fund të nëntorit dhe ka qëndruar vetëm pak ditë dhe më pas është larguar për në shtetin italian.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
